Dëgjimi i muzikës në baza të rregullta mund të ulë ndjeshëm rrezikun e demencës te personat e moshuar, sugjeron një studim i ri nga Australia.
Hulumtimi, i cili analizoi mbi 10,800 persona të moshës 70 vjeç e lart, gjeti se të moshuarit që dëgjonin shpesh muzikë kishin 39% rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës krahasuar me ata që dëgjonin rrallë ose aspak. Po ashtu, tek ata u vërejt 17% më pak raste të dëmtimit kognitiv, rezultate më të larta në testet e kujtesës dhe përmirësim në kujtesën episodike.
Studimi gjithashtu tregon se luajtja e një instrumenti muzikor lidhet me 35% rrezik më të ulët të demencës, ndërsa personat që si dëgjonin ashtu edhe luanin muzikë kishin 33% më pak rrezik për demencë dhe 22% rrezik më të ulët për dëmtim kognitiv.
Sipas autores së studimit, Emma Jaffa nga Universiteti Monash, rezultatet sugjerojnë se aktivitetet muzikore mund të jenë “një strategji e thjeshtë dhe e qasshme për ruajtjen e shëndetit kognitiv te të moshuarit”.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se gjetjet janë vëzhguese dhe nuk mund të provojnë drejtpërdrejt se muzika parandalon demencën. Ata paralajmërojnë edhe për kufizimet e studimit, përfshirë raportimin vetjak të zakoneve muzikore dhe mundësinë e ndikimit të faktorëve të tjerë.
Ndërkohë, demenca mbetet një sfidë globale në rritje, me mbi 57 milionë persona të prekur dhe rreth 10 milionë raste të reja çdo vit, sipas Alzheimer’s Disease International./Gazeta Shneta/


