Çrregullimet e shëndetit mendor janë bërë shkaku kryesor i problemeve të mëdha në botë, numri i personave të prekur ka arritur në afro 1.2 miliardë njerëz, sipas një studimi të ri ndërkombëtar.
Hulumtimi, i cili analizoi të dhëna nga 204 shtete, tregon se numri i njerëzve që jetojnë me një çrregullim të shëndetit mendor është pothuajse dyfishuar krahasuar me vitin 1990.
Studiuesit vlerësojnë se rritja e rasteve lidhet me pasojat afatgjata të pandemisë COVID-19, por edhe me faktorë të tjerë socialë dhe ekonomikë si varfëria, pasiguria, dhuna, abuzimi dhe ulja e lidhjeve sociale.
Sipas autorit kryesor të studimit, Damian Santomauro nga Qendra e Kërkimeve për Shëndetin Mendor në Queensland të Australisë, tendencat në rritje pasqyrojnë ndikimin e stresit të lidhur me pandeminë, si dhe sfida më të gjera që po prekin shoqëritë në mbarë botën.
Të dhënat tregojnë se rastet e depresionit madhor janë rritur me rreth 24 për qind që nga viti 2019, ndërsa çrregullimet e ankthit kanë shënuar një rritje prej më shumë se 47 për qind.
Një nga gjetjet më shqetësuese të studimit lidhet me moshat e reja. Sipas hulumtuesve, barra më e madhe e çrregullimeve mendore është regjistruar tek të rinjtë e moshës 15 deri në 19 vjeç, një periudhë që konsiderohet vendimtare për zhvillimin personal, arsimor dhe profesional.
Studimi evidenton gjithashtu se gratë preken më shumë nga çrregullimet e shëndetit mendor krahasuar me burrat.
Studiuesit e lidhin këtë me presionet e kujdesit familjar, pabarazinë gjinore dhe ekspozimin më të lartë ndaj formave të ndryshme të dhunës dhe abuzimit.
Autorët e studimit bëjnë thirrje për rritjen e investimeve në shërbimet e shëndetit mendor, zgjerimin e qasjes në trajtim dhe mbështetje më të madhe për grupet më të rrezikuara.
Sipas tyre, përballja me krizën në rritje të shëndetit mendor kërkon veprime të koordinuara nga sistemet shëndetësore, institucionet arsimore dhe politikëbërësit në nivel global./Gazeta Shneta/


