Long Covid mund të prekë shumë më tepër njerëz sesa vlerësohej deri më tani, sugjeron një studim i ri i publikuar në revistën shkencore JAMA Network Open.
Studiuesit përdorën një sistem të inteligjencës artificiale (AI) për të analizuar të dhënat mjekësore të afro 460 mijë pacientëve të infektuar me COVID-19 në 58 spitale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rezultatet treguan se rreth 16 për qind e pacientëve kishin zhvilluar COVID të gjatë, një përqindje dukshëm më e lartë se vlerësimet aktuale. Nëse këto të dhëna aplikohen në nivel kombëtar, më shumë se 18 milionë amerikanë mund të jenë prekur nga kjo gjendje, gati dy herë më shumë se sa mendohej më parë.
Sipas autorëve të studimit, mbi 10 milionë raste mund të mbeten të padiagnostikuara, pasi sistemi aktual i kodimit mjekësor identifikon më pak se 7 për qind të pacientëve me COVID të gjatë.
Për të identifikuar rastet, studiuesit zhvilluan një algoritëm që zbulon probleme shëndetësore të shfaqura pas infektimit me koronavirus, të cilat nuk mund të shpjegohen nga sëmundje ose gjendje të mëparshme të pacientit.
Analiza tregoi se përhapja e COVID-it të gjatë ndryshonte sipas rajoneve, duke lëvizur nga rreth 14 deri në afro 23 për qind të rasteve. Po ashtu, studiuesit konstatuan se rastet kanë vazhduar të rriten edhe gjatë vitit 2024, duke sfiduar bindjen se kjo gjendje lidhet vetëm me valët e para të pandemisë.
Ekspertët paralajmërojnë se shumë pacientë po trajtohen për simptoma të ndryshme pa u identifikuar si raste të COVID-it të gjatë. Këto simptoma mund të përfshijnë probleme neurologjike, çrregullime metabolike, lodhje kronike, vështirësi në përqendrim dhe probleme të sistemit nervor autonom.
Sipas studiuesve, nëse tendencat aktuale vazhdojnë, numri i rasteve me COVID të gjatë mund të vazhdojë të rritet gjatë dekadës së ardhshme, duke paraqitur një sfidë të rëndësishme për sistemet shëndetësore./Gazeta Shneta/


