Gratë që kanë hequr të dy vezoret para menopauzës mund të kenë një rrezik të shtuar të zhvillimit të sëmundjes së Parkinsonit vite më vonë, sugjeron një studim i ri.
Duke parë të dhënat e dekadave për më shumë se 5000 gra, studiuesit zbuluan se ato që kishin hequr të dy vezoret para moshës 43 vjeç kishin pesë herë më shumë gjasa të diagnostikoheshin përfundimisht me sëmundjen e Parkinsonit, kundrejt grave të moshës së tyre që nuk e kishin kryer operacionin, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Ekspertët thanë se rezultatet nuk vërtetojnë se operacioni shkakton Parkinson. Por ato janë në përputhje me disa studime të kaluara – dhe mbështesin teorinë se humbja e parakohshme e estrogjenit mund të kontribuojë në sëmundjen e Parkinsonit në disa gra.
Sëmundja e Parkinsonit prek gati 1 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara, sipas Parkinson’s Foundation dhe është një sëmundje e trurit që me kalimin e kohës shkatërron ose pamundëson qelizat që prodhojnë dopaminë, një kimikat që ndihmon në rregullimin e lëvizjeve dhe reagimeve emocionale.
Simptomat më të dukshme të Parkinsonit janë të lidhura me lëvizjet – dridhjet, gjymtyrët e ngurtësuara dhe problemet e koordinimit – por efektet janë të gjera dhe përfshijnë depresion, nervozizëm dhe probleme me kujtesën dhe aftësitë e të menduarit.
Sëmundja e Parkinsonit është afërsisht dy herë më e zakonshme tek meshkujt sesa tek femrat. Kjo sugjeron se mund të ketë një efekt mbrojtës të estrogjenit në qelizat që prodhojnë dopaminë, sipas Dr. Walter Rocca, studiuesi kryesor në studimin e ri dhe një neurolog në klinikën Mayo në Rochester, Minn.
Vezoret janë burimi kryesor i estrogjenit në trupin e një gruaje. Nëse një gruaje i hiqen të dy vezoret para menopauzës, ajo do të ketë një rënie të menjëhershme të estrogjenit. Dhe kjo, sipas Dr. Rocca, mund të nënkuptojë një humbje të efekteve mbrojtëse të hormonit në tru.
Gjetjet u publikuan në internet në revistën “JAMA Network Open”. /Gazeta Shneta/