Studiuesit kanë zhvilluar një test gjaku me kosto të ulët që mund të analizojë ndryshimet në nivel të ADN-së, me potencialin për të zbuluar disa lloje kanceri dhe sëmundje të tjera nga një mostër e vetme gjaku. Sipas tyre, testi mund të ulë ndjeshëm koston e analizave dhe të përmirësojë zbulimin e hershëm të sëmundjeve.
Sipas burimit Medical News Today, metoda fokusohet në fragmente të vogla ADN-je që qarkullojnë në gjak kur qelizat vdesin çdo ditë në trupin e njeriut. Këto fragmente mund të japin informacion për gjendjen e organeve të ndryshme dhe janë një burim i rëndësishëm për diagnostikim jo-invaziv.
Për të adresuar këtë problem, studiues nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA) zhvilluan një test të quajtur “MethylScan”, i cili përqendrohet në rajone të veçanta të ADN-së ku metilimi i gjeneve ndryshon sipas llojit të indeve dhe pranisë së sëmundjeve. Duke filtruar deri në 80–90% të ADN-së që vjen nga qelizat e gjakut, testi redukton “zhurmën” dhe kërkon më pak sekuencim gjenetik, duke ulur ndjeshëm koston.
Sipas studiuesve, kjo qasje mund të kushtojë më pak se 20 dollarë për mostër, duke e bërë shumë më të përballueshme krahasuar me testet ekzistuese për zbulimin e shumë kancereve.
Në një studim të madh, testi arriti të identifikojë rreth 63% të rasteve me kancer në përgjithësi dhe 55% të kancereve në faza të hershme, me një saktësi prej 98%.
Mes tjerash, gjithashtu mund të tregojë me saktësi nga cili ind mund të ketë origjinën sëmundja dhe të dallojë lloje të ndryshme sëmundjesh të mëlçisë.
Studiuesit theksojnë se kjo metodë mund të shërbejë si një mjet i ri, jo-invaziv dhe i lirë për zbulimin e hershëm dhe monitorimin e sëmundjeve, megjithëse nevojiten studime të mëtejshme para përdorimit të saj në praktikën klinike. /Gazeta Shneta/


