Plakja e shëndetshme nuk varet vetëm nga dieta, aktiviteti fizik apo gjumi i mjaftueshëm. Një studim i ri shkencor tregon se mirëqenia e vërtetë në moshë të madhe lidhet po aq me qëndrimin mendor, mbështetjen shoqërore dhe ndjenjën e lumturisë personale.
Sipas hulumtimit të publikuar më 24 shtator në revistën PLOS One, studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 8,000 të moshuar nga Studimi Kanadez i Jetës gjatë Plakjes (Canadian Longitudinal Study on Aging), transmeton Gazeta Shneta.
Ata zbuluan se mirëqenia optimale përfshin disa elemente: mendime pozitive ndaj plakjes, shëndet të mirë fizik e mendor, kënaqësi me jetën, lumturi dhe aftësinë për të kryer detyrat e përditshme pa kufizime të mëdha.
“Studimi ynë tregoi se shumë persona që në fillim nuk kishin mirëqenie të lartë, arritën ta rifitonin atë brenda vetëm tre vitesh,” tha Dr. Mabel Ho, autorja kryesore e kërkimit. “Këto të dhëna sfidojnë perceptimin se plakja është një proces i pashmangshëm rënieje dhe tregojnë se përmirësimet janë të mundshme në çdo moshë.”
Studiuesit theksojnë se plakja e shëndetshme është një proces shumëdimensional, ku faktorët emocionalë dhe socialë kanë peshë po aq të madhe sa edhe aspektet fizike. Ata sugjerojnë që politikat publike dhe programet për kujdesin ndaj të moshuarve të përfshijnë më shumë mbështetje për shëndetin mendor dhe lidhjet shoqërore, përveç kujdesit mjekësor tradicional.
Sipas autorëve, rezultatet janë një mesazh shprese: mirëqenia nuk humbet me kalimin e viteve, por mund të rikthehet dhe forcohet nëse të moshuarit marrin mbështetjen e duhur fizike, emocionale dhe sociale./ Gazeta Shneta/


