Qasja e lehtë në specialistë dhe mbështetja e vazhdueshme për pacientët me demencë dhe kujdestarët e tyre mund të sjellë më shumë përfitime sesa disa barna të shtrenjta kundër Alzheimerit, tregon një studim i ri nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko (UCSF).
Studiuesit krahasuan rezultatet e pacientëve që përfshiheshin në programe të kujdesit të koordinuar (collaborative care) me ata që trajtoheshin me lecanemab, një nga dy barnat e miratuara që ngadalësojnë përparimin e Alzheimerit te disa pacientë.
Programi, i mbuluar nga Medicare, ofron mbështetje mjekësore dhe këshilla profesionale për kujdestarët, përmes navigatorëve të paguar që koordinohen me ekipet klinike dhe i lidhin familjet me burime komunitare. Ky model, i zhvilluar fillimisht nga UCSF Health dhe Care Ecosystem, është zbatuar tashmë në më shumë se 50 sisteme shëndetësore në SHBA.
Sipas studimit, kujdesi i koordinuar përmirëson cilësinë e jetës, ul kostot shëndetësore, lehtëson barrën e kujdestarëve dhe zgjat kohën që pacientët qëndrojnë në shtëpi, krahasuar me trajtimin vetëm me lecanemab. Gjetjet janë publikuar në revistën shkencore Alzheimer’s and Dementia: Behavior and Socioeconomics of Aging.
Studiuesit analizuan një grup të simuluar prej 1.000 pacientësh, ku gjysma kishin Alzheimer të lehtë dhe gjysma dëmtim të lehtë njohës (MCI). Zëvendësimi i kujdesit standard me kujdes të koordinuar u dha pacientëve 0.26 vite shtesë jetë me cilësi më të mirë shëndetësore. Shtimi i lecanemab-it mbi këtë kujdes solli edhe 0.16 vite shtesë, por me kosto më të larta.
Autorët theksojnë se kujdesi i koordinuar është i aplikueshëm për një gamë më të gjerë pacientësh, përfshirë ata me faza më të avancuara të sëmundjes dhe format e tjera të demencës, ndryshe nga barnat që janë të kufizuara vetëm për raste të caktuara.
Sipas studimit, shtimi i lecanemab-it rriti shpenzimet shëndetësore me rreth 38.400 dollarë për pacient, ndërsa kujdesi i koordinuar solli kursime deri në 48.000 dollarë, kryesisht për shkak të uljes së shtrimeve në spital. Pacientët gjithashtu qëndruan mesatarisht katër muaj më gjatë në shtëpi, para se të transferoheshin në shtëpi pleqsh.


