Kujdesi për nipërit dhe mbesat mund të ndihmojë në mbrojtjen e të moshuarve nga rënia e funksioneve njohëse, sipas një studimi të ri. Aktivitetet e përditshme si ndihma me detyrat e shtëpisë, përgatitja e ushqimit apo shoqërimi i fëmijëve në park ose në shkollë mund të kenë ndikim pozitiv në shëndetin e trurit.
Studimi i publikuar nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë, tregon se gjyshërit që kujdesen rregullisht për nipërit dhe mbesat kanë rrjedhshmëri më të mirë verbale dhe kujtesë episodike më të fortë, pra aftësinë për të rikujtuar ngjarje personale nga e kaluara, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas autores kryesore të studimit, Flavia Chereches nga Universiteti i Tilburgut në Holandë, ajo që kishte më shumë rëndësi nuk ishte sa shpesh ofrohej kujdesi apo çfarë aktivitetesh kryheshin, por vetë fakti i të qenit një gjysh apo gjyshe kujdestare.
Studimi përfshiu 2,887 gjyshër mbi moshën 50 vjeç, me moshë mesatare 67 vjeç, të cilët ishin kognitivisht të shëndetshëm dhe jetonin në mënyrë të pavarur. Ata iu nënshtruan pyetësorëve dhe testeve njohëse tre herë gjatë periudhës 2016–2022.
Rreth 56% e pjesëmarrësve deklaruan se kujdeseshin për nipërit gjatë gjithë vitit. U vu re se aktivitete si lojërat dhe ndihma me detyrat lidhen me përmirësim të kujtesës dhe të aftësive verbale. Gjithashtu, gjyshërit që i merrnin shpesh fëmijët nga shkolla shfaqnin rrjedhshmëri më të lartë verbale.
Studimi tregon se përfitimet janë më të qëndrueshme te gratë. Gjyshet që kujdeseshin për nipërit kishin kujtesë dhe aftësi verbale më të mira që në fillim dhe rënia e tyre ishte më e ngadaltë krahasuar me ato që nuk ofronin kujdes.
Edhe burrat kujdestarë nisën me rezultate më të mira, por rënia ndodhi me të njëjtin ritëm si tek ata që nuk kujdeseshin.
Autorët theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar rolin e mjedisit familjar dhe faktit nëse kujdesi ofrohet vullnetarisht dhe në një ambient mbështetës. /Gazeta Shneta/


