Mosha kronologjike i referohet numrit të viteve që kemi jetuar, ndërsa mosha biologjike tregon sa të vjetra janë qelizat dhe organet tona.
Ekspertët sugjerojnë se mosha biologjike e organizmit në tërësi, apo e organeve individuale, është një tregues më i mirë i shëndetit dhe plakjes sesa mosha kronologjike shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Tani, një studim ka zbuluar se një test gjaku që mat moshën biologjike të organeve mund të parashikojë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve shumë vite më vonë.
Studiuesit sugjerojnë se ky lloj testi mund të jetë kyç në parashikimin dhe parandalimin e shumë sëmundjeve, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe disa lloje kanceri.
Studiuesit e analizojnë moshën e një personi në dy mënyra:
Mosha kronologjike është numri i viteve që kanë kaluar nga lindja dhe është mosha me të cilën personi identifikohet.
Mosha biologjike mat sa të vjetra janë qelizat dhe organet dhe mund të ndryshojë ndjeshëm nga mosha kronologjike, në varësi të faktorëve gjenetikë dhe stilit të jetesës.
Mes tjerash, mosha biologjike gjithashtu mund të ndryshojë brenda një personi, me disa organe që plaken më shpejt se të tjerat.
Plakja kronologjike është lineare dhe nuk mund të përshpejtohet apo ngadalësohet. Megjithatë, plakja biologjike mund të jetë më e shpejtë ose më e ngadaltë sesa plakja kronologjike, në varësi të gjeneve dhe faktorëve mjedisorë.
Dallimi mes këtyre dy matjeve shpesh quhet hendek moshe. Një hendek negativ, ku mosha biologjike është më e ulët se ajo kronologjike, tregon një plakje të shëndetshme ose të ngadaltë, ndërsa një hendek pozitiv tregon se personi po plaket më shpejt se sa pritej.
Tani, një ekip studiuesish nga University College London në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se një test gjaku për të matur moshën biologjike të organeve mund të parashikojë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve vite, madje edhe dekada më vonë.
Studimi i tyre i publikuar në “The Lancet Digital Health”, zbuloi se plakja më e shpejtë e një organi specifik rrit mundësinë e zhvillimit të sëmundjeve që prekin gjithë trupin.
Dr. Cheng-Han Chen, kardiolog nga MemorialCare, në Kaliforni, i cili nuk ishte pjesë e studimit, shpjegoi për Medical News Today se:
“Ky studim vëzhgues afatgjatë zbuloi një lidhje midis ‘moshës së organeve’, e vlerësuar përmes niveleve të ndryshme të proteinave në gjak, dhe rrezikut të ardhshëm për zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme.
Kjo lloj analize mund të ofrojë një metodë për klasifikimin e rrezikut dhe ndihmën në parandalimin e disa sëmundjeve”. /Gazeta Shneta/


