Një studim i publikuar në revistën shkencore Nature Medicine sugjeron se përdorimi i përditshëm i multivitaminave mund të ndikojë në ngadalësimin e procesit të plakjes biologjike.
Studiuesit analizuan të dhënat e 958 personave të moshës rreth 70 vjeç, të cilët morën pjesë në një studim dyvjeçar. Qëllimi i kërkimit ishte të vlerësohej nëse suplementet multivitaminike mund të ndikojnë në moshën biologjike të trupit, e cila matet përmes ndryshimeve epigjenetike në ADN, shkruan Nature Medicine, transmeton Gazeta Shneta.
Përmes analizave të avancuara të quajtura “orë epigjenetike”, shkencëtarët zbuluan se pjesëmarrësit që përdornin multivitamina çdo ditë kishin një ngadalësim të plakjes biologjike me rreth katër muaj krahasuar me ata që nuk i merrnin këto suplemente.
Sipas autorëve të studimit, efekti ishte më i dukshëm tek personat që në fillim të studimit kishin shenja të plakjes më të shpejtë biologjike. Multivitaminat duket se ndihmojnë në plotësimin e mungesave të mikronutrientëve, të cilat mund të ndikojnë në funksionimin e qelizave dhe në proceset e rigjenerimit të organizmit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes. Multivitaminat nuk janë një “kurë kundër plakjes” dhe nuk mund të zëvendësojnë një dietë të balancuar, aktivitetin fizik dhe stilin e shëndetshëm të jetesës.
Studiuesit shtojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë se cilat vitamina dhe minerale kanë ndikimin më të madh në procesin e plakjes dhe nëse efektet mund të jenë më të mëdha në periudha më të gjata kohore. /Gazeta Shneta/


