Studimet e bëra mbi diabetin e tipit 1 tregojnë se nivelet shumë të larta ose shumë të ulëta të glukozës mund të ngadalësojnë njohjen te njerëzit me këtë lloj diabeti. Kjo lidhet me ndikimin e glukozës në funksionin e trurit dhe rrezikun e sëmundjeve të tjera si Alzheimeri.
Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimune që prek pankreasin dhe prodhimin e insulinës. Për dallim nga diabeti i tipit 2, për të cilin ekzistojnë disa mundësi kurimi, diabeti i tipit 1 nuk ka kurë dhe ndikon në aftësinë e pankreasit për të prodhuar insulinë në nivele të mjaftueshme për trupin, shkruan Medical News, transmeton Gazeta Shneta.
Studimet kanë treguar se njerëzit me diabet të tipit 1 janë në rrezik të shtuar për shumë kushte shëndetësore, duke përfshirë problemet kardiovaskulare, dëmtimin e nervave, dhe problemet me sytë. Në të njëjtën kohë, luhatjet në nivelin e glukozës mund të ndikojnë edhe në funksionin e trurit, duke rritur rrezikun për shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme të trurit si demenca dhe Alzheimeri.
Studimet e kryera kanë zbuluar lidhjet midis diabetit të tipit 1 dhe problemet njohëse. Për shembull, një studim i publikuar në mars 2022 gjeti se të moshuarit me diabet të tipit 1 kishin njohje më të dobët krahasuar me grupet e tjera. Ndërsa hulumtimet e tjera kanë raportuar se një kontroll i dobët glicemik i diabetit të tipit 1 rrit rrezikun për demencë te të moshuarit.
Këto rezultate theksojnë rëndësinë e monitorimit të rregullt të nivelit të glukozës dhe menaxhimit të mirë të diabetit të tipit 1 për të zvogëluar rrezikun e komplikimeve të mundshme shëndetësore, përfshirë edhe ato që ndikojnë në funksionin e trurit./Gazeta Shneta/


