Studime të reja tregojnë se ndryshimet klimatike dhe ndotja e ajrit mund të lidhen me rrezikun e goditjes në tru, sipas Organizatës Botërore të Strokut.
Sipas kërkimeve, ndryshimet në mjedis që po përkeqësohen nga ndryshimet klimatike, si temperaturat ekstreme, ndryshimet e papritura të temperaturës, lagështia, presioni i ajrit, zjarret në natyrë, stuhitë e pluhurit dhe rërës, mund të rrisin rrezikun e goditjes në tru, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit që bashkëpunojnë me Organizatën Botërore të Strokut, analizuan studime të ndryshme që lidhen me ndikimin e klimës në shëndetin e trurit. Ata arritën në përfundimin se një klimë gjithnjë e më e paqëndrueshme mund të rrisë si rrezikun e goditjes në tru, ashtu edhe vdekjet nga kjo sëmundje.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se shumica e të dhënave tregojnë vetëm lidhje dhe jo prova të drejtpërdrejta që moti ekstrem shkakton goditje në tru. Pavarësisht kësaj, modelet e rezultateve janë të qëndrueshme dhe të shpjegueshme nga ana biologjike.
Sipas studiueses Anna Ranta, temperaturat e larta mund të shkaktojnë dehidratim dhe trashje të gjakut, duke rritur rrezikun e bllokimit të enëve të gjakut.
Ndërsa lagështia dhe ndryshimet e presionit të ajrit mund të rrisin tensionin e gjakut, që është një faktor i rëndësishëm për goditjen në tru. Kur ndodhin disa kushte ekstreme njëkohësisht, rreziku mund të rritet edhe më shumë.
Grupet më të rrezikuara përfshijnë të moshuarit, personat me sëmundje metabolike dhe njerëzit që jetojnë në zona të varfra ose me klimë të ftohtë, ku temperaturat ekstreme kanë ndikim më të madh.
Organizata Botërore e Strokut, thekson gjithashtu se ndotja e ajrit është një faktor i rëndësishëm. Rreth 37% e rasteve të goditjes në tru në botë lidhen me faktorë mjedisorë, kryesisht ndotjen e ajrit dhe ekspozimin ndaj plumbit. Grimcat e ndotjes hyjnë në trup përmes mushkërive dhe dëmtojnë enët e gjakut, duke rritur rrezikun e bllokimeve ose hemorragjive në tru.
Meqë ndotja dhe ndryshimet klimatike lidhen me djegien e lëndëve djegëse fosile, ulja e tyre mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut për shëndetin e trurit.
Goditja në tru është shkaku i tretë kryesor i vdekjes dhe aftësisë së kufizuar në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2021 u regjistruan rreth 11.9 milionë raste të reja dhe një në katër persona rrezikon ta pësojë gjatë jetës. /Gazeta Shneta/


