Obeziteti në fëmijëri nuk është vetëm problem shëndetësor, por mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në suksesin ekonomik në moshë të rritur, tregon një studim i publikuar së fundmi.
Sipas hulumtimit, fëmijët që kanë peshë të tepërt kanë më pak gjasa të përparojnë ekonomikisht në të ardhmen krahasuar me bashkëmoshatarët me peshë normale. Studiuesit theksojnë se kjo gjendje mund të kufizojë mundësitë për arsimim, punësim dhe avancim në karrierë.
Studimi, i bazuar në të dhëna të mbi 20 mijë personave të ndjekur për më shumë se dy dekada, zbulon se të rriturit që kanë qenë obezë në fëmijëri renditen më poshtë në shkallën e të ardhurave krahasuar me prindërit e tyre.
Sipas rezultateve, ata mund të kenë deri në 20 pikë përqindje më pak në renditjen e të ardhurave, edhe kur faktorët e tjerë janë të njëjtë.
Po ashtu, këta individë kanë më pak gjasa të jetojnë në zona me të ardhura të larta dhe norma të ulëta varfërie. Studiuesit e lidhin këtë me disa faktorë, përfshirë nivelin më të ulët të arsimit dhe problemet shëndetësore që vazhdojnë edhe në moshë të rritur.
Personat që kanë qenë obezë në fëmijëri përballen më shpesh me sfida fizike në punë, stres më të lartë dhe probleme shëndetësore si apnea e gjumit. Gjithashtu, ata mund të hasin diskriminim në tregun e punës dhe më pak mundësi për punësim.
Studimi tregon se ndikimi negativ është më i theksuar tek vajzat dhe tek fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta.
Ekspertët theksojnë se luftimi i obezitetit në fëmijëri mund të sjellë përfitime të mëdha jo vetëm për shëndetin, por edhe për të ardhmen ekonomike të individëve dhe shoqërisë në përgjithësi.


