Një studim i ri nga Universiteti i Oksfordit ka ngritur shqetësime për shëndetin publik, duke treguar se shumica e personave që ndërpresin barnat për humbje peshe, si Ozempic dhe Wegovy, rifitojnë peshën e humbur brenda dy vjetësh.
Sipas studimit, i publikuar në revistën BMJ, pacientët që ndalojnë trajtimin shtojnë peshë shumë më shpejt sesa ata që e ulin peshën përmes dietës dhe aktivitetit fizik.
Përveç peshës, edhe rreziku për sëmundje si diabeti dhe problemet e zemrës pritet të rikthehet në nivelet para trajtimit.
Ekspertët theksojnë se obeziteti është një gjendje kronike dhe kërkon trajtim dhe mbështetje afatgjatë, jo vetëm gjatë përdorimit të barnave, por edhe pas ndërprerjes së tyre. Pa këshillim të vazhdueshëm mjekësor dhe ushqimor, përfitimet e humbjes së peshës mund të jenë të përkohshme.
Studimi nënvizon nevojën që politikat e shëndetit publik të fokusohen jo vetëm te trajtimi me barna, por edhe te edukimi për ushqyerje të shëndetshme dhe aktivitet fizik afatgjatë./Gazeta Shneta/


