Gratë që kanë kërkuar shpesh ndihmë mjekësore për simptoma si lodhje, dhimbje apo marramendje para pandemisë mund të kenë më shumë gjasa të diagnostikohen me post-COVID, sipas një studimi nga University of Gothenburg.
Studimi ka përfshirë mbi 200 mijë gra në Suedi dhe ka analizuar vizitat e tyre në kujdesin parësor në vitet para pandemisë, duke i krahasuar me rastet që më vonë u diagnostikuan me post-COVID ose sindroma të lodhjes afatgjatë.
Sipas rezultateve, sa më shumë që një person kishte kërkuar ndihmë për simptoma të pashpjegueshme para pandemisë, aq më i lartë ishte rreziku për t’u përballur më vonë me post-COVID.
Gratë që kishin më shumë se tetë vizita të tilla rezultuan mbi pesë herë më të rrezikuara krahasuar me ato që nuk kishin pasur vizita të ngjashme.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo nuk vlen për të gjithë. Rreth 20 për qind e grave që u diagnostikuan me post-COVID nuk kishin pasur asnjë ankesë të tillë më parë, çka tregon se në zhvillimin e kësaj gjendjeje ndikojnë edhe faktorë të tjerë.
Autorët e studimit vlerësojnë se post-COVID nuk duhet parë vetëm si pasojë e infeksionit me COVID-19, por si një gjendje më komplekse, ku rol mund të luajë edhe historia e mëparshme shëndetësore e pacientit.
Studimi bazohet në të dhënat e regjistrave kombëtarë shëndetësorë dhe synon të ndihmojë në kuptimin më të mirë të faktorëve që ndikojnë në zhvillimin e post-COVID./Gazeta Shneta/


