Amerikanët që konsumojnë shumë alkool janë sot më shumë se dy herë më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje të mëlçisë, krahasuar me para 20 vjetësh, edhe pse sasia mesatare e konsumit nuk ka ndryshuar.
Këtë e tregon një studim i publikuar në Clinical Gastroenterology and Hepatology.
Sipas studiuesve, rritja e rrezikut lidhet me faktin se konsumimi i tepruar i alkoolit është rritur në grupet më të ndjeshme ndaj dëmtimeve të mëlçisë, si: gratë, të rriturit mbi 45 vjeç, personat që jetojnë në varfëri dhe ata me sindromën metabolike – një gjendje që përfshin obezitetin abdominal, tensionin e lartë, sheqerin e lartë në gjak, nivel të lartë të triglicerideve dhe kolesterol të ulët të mirë (HDL), shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit zbuluan se nga viti 2013 deri më 2020, mbi 4% e konsumuesve të rëndë kishin shenja të forta dëmtimi të mëlçisë (fibrozë), nga më pak se 2% në periudhën 1999–2004. Konsumimi i rëndë përkufizohet si më shumë se 8 pije në javë për gratë dhe 15 për burrat.
Studimi, i cili analizoi të dhënat e mbi 44,600 personave në SHBA nga viti 1999 deri më 2020, është i pari që shqyrton në mënyrë gjithëpërfshirëse lidhjen mes pirjes së tepërt dhe sëmundjes së mëlçisë që nga vitet ’90.
Sipas autorit kryesor, Dr. Brian Lee nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, këto gjetje ndihmojnë në identifikimin e grupeve që kanë më shumë nevojë për ndërhyrje për të frenuar konsumin e rrezikshëm të alkoolit dhe për të parandaluar rritjen e rasteve me sëmundje të mëlçisë./Gazeta Shneta/


