Të luash një instrument gjatë gjithë jetës suaj mund të promovojë shëndetin kognitiv në vitet tuaja të mëvonshme, zbulon një studim i ri.
Edhe pse luajtja e instrumenteve frymore u gjet gjithashtu të jetë e dobishme për aftësitë kognitive (njohëse), njerëzit që luajnë piano gjatë moshës madhore kanë më shumë gjasa të marrin përfitimin më të madh, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Studimi gjeti gjithashtu një lidhje midis të kënduarit në kor dhe shëndetit kognitiv, megjithëse nuk ishte në gjendje të përcaktonte nëse kjo ishte rezultat i vetë të kënduarit ose i pjesëmarrjes në një aktivitet shoqëror.
Një studim i ri nga Universiteti i Exeter në Mbretërinë e Bashkuar thotë se luajtja e një instrumenti ose e këndimit koral gjatë gjithë jetës së një të rrituri lidhet me një shëndet më të mirë njohës ndërsa plakemi.
Studimi është një analizë e të dhënave nga studimi më i madh “PROTECT”, duke parë njerëzit e moshës 40 vjeç e sipër. Është një bashkëpunim me King’s College në Londër dhe ka nisur prej një dekade.
Duke kaluar nëpër të dhëna nga një nëngrup i studimit PROTECT, autorët e studimit të ri gjurmuan efektet njohëse të luajtjes së një instrumenti, ose këndimit koral. Ekspozimi i përjetshëm i individëve ndaj muzikës dhe përvoja e tyre muzikore u krahasuan me funksionin e tyre njohës.
Studimi është publikuar në “International Journal of Geriatric Psychiatry”.
Autorët e studimit zbuluan se të rriturit që luajnë një instrument kanë më shumë gjasa të kenë një memorie pune më të fortë dhe funksion ekzekutiv. Të kënduarit në kor u shoqërua edhe me funksione më të mira ekzekutive.
Ndërsa dëgjimi i thjeshtë i muzikës njihet si i dobishëm për njerëzit e moshuar, studimi nënvizoi përfitimin shtesë të pjesëmarrjes në veprimtari muzikale, pasi kjo përfshin më shumë zona të trurit. Nuk vërejti asnjë lidhje midis dëgjimit të muzikës në mënyrë pasive dhe shëndetit kognitiv.
Instrumenti më i rëndësishëm i lidhur me shëndetin më të mirë njohës ishte piano.
Gjetjet e studimit nënvizojnë vlerën e mundshme të edukimit muzikor në një kohë kur shumë programe muzikore shkollore po eliminohen.
“Praktikimi i muzikës mund të ndikojë në tru në shumë mënyra, duke përfshirë rritjen e shpejtësisë së impulseve nervore duke nxitur formimin e mielinës, e cila mbështillet rreth proceseve të qelizave nervore dhe duke rritur sinapset – lidhjet midis qelizave nervore. Ajo gjithashtu mund të nxisë gjenerimin e qelizave të reja nervore”, thanë autorët. /Gazeta Shneta/


