Tinitusi kronik, një gjendje e karakterizuar nga zhurma e vazhdueshme në vesh pa burim të jashtëm, lidhet ngushtë me rritjen e simptomave të depresionit dhe ankthit, sipas një studimi të publikuar në Neuropsychiatric Disease and Treatment.
Studimi përfshiu 100 të rritur që përjetonin Tinnitus për të paktën gjashtë muaj.
Qëllimi ishte të vlerësohej lidhja mes ashpërsisë së kësaj gjendjeje dhe barrës psikologjike tek pacientët.
Rezultatet treguan një lidhje të moderuar pozitive mes intensitetit të tinitusit dhe simptomave depresive dhe ankthit.
Sa më i rëndë të ishte tinitusi, aq më të theksuara ishin problemet e shëndetit mendor.
Sipas analizës, pacientët me forma të rënda të tinitusit kishin mbi tre herë më shumë gjasa të përjetonin depresion të moderuar deri të rëndë dhe gati tre herë më shumë gjasa për ankth.
Në total, rreth 28% e pjesëmarrësve shfaqën simptoma të rëndësishme të depresionit, ndërsa 31% kishin simptoma të ankthit.
Autorët e studimit theksojnë se këto gjetje nënvizojnë nevojën për përfshirjen e vlerësimit të shëndetit mendor në trajtimin e pacientëve me probleme të veshit, hundës dhe fytit.
Sipas tyre, një qasje multidisiplinare që përfshin edhe mbështetje psikologjike mund të ndihmojë në menaxhimin më efektiv të kësaj gjendjeje dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.


