Një studim i publikuar në Journal of Clinical Investigation sugjeron se trajtimi i diabetit të tipit 2 mund të jetë më efektiv nëse fokusohet te neuronet në tru, konkretisht ato në hipotalamus të quajtura AgRP, sesa vetëm te obeziteti apo rezistenca ndaj insulinës.
Studiuesit nga UW Medicine, nën udhëheqjen e Dr. Michael Schwartz, zbuluan se ndërprerja e komunikimit të këtyre neuroneve përmes një toksine çoi në normalizimin e sheqerit në gjak te minjtë me diabet – dhe kjo pa ndikuar në peshën trupore apo konsumimin e ushqimit.
Ky zbulim sfidon bindjen tradicionale që diabeti i tipit 2 shkaktohet vetëm nga faktorë si trashëgimia, obeziteti dhe stili i jetesës. Në të kaluarën është zbuluar gjithashtu se injektimi i një peptidi të quajtur FGF1 në tru mund të shkaktojë remitencë të diabetit, gjithashtu duke ndikuar neuronet AgRP, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit theksojnë se edhe pse këto neurone nuk ndikojnë drejtpërdrejt në obezitet, ato luajnë një rol të rëndësishëm në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak. Për më tepër, barna si Ozempic që përdoren në trajtimin e diabetit të tipit 2, gjithashtu mund të inhibojnë këto neurone.
Nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar se si këto neurone bëhen hiperaktive dhe si mund të kontrollohet aktiviteti i tyre, me qëllim që këto zbulime të shndërrohen në trajtime për njerëzit./Gazeta Shneta/


