Një studim i ri ka treguar se foshnjat mund të marrin në mënyrë të sigurt antitrupin mbrojtës kundër virusit respirator sincicial (RSV), edhe nëse nënat e tyre janë vaksinuar gjatë shtatzënisë.
Antitrupi nirsevimab (i njohur me emrin tregtar Beyfortus) përdoret për të mbrojtur foshnjat nga RSV – një infeksion respirator që është shkaku më i zakonshëm i shtrimit në spital të të porsalindurve dhe foshnjave.
Sipas hulumtimit të prezantuar në konferencën IDWeek në Atlanta – që bashkon shoqatat kryesore të sëmundjeve infektive në SHBA – administrimi i nirsevimabit pas lindjes nuk shkakton efekte anësore serioze, edhe te foshnjat që kanë marrë mbrojtje paraprake nga vaksina e nënës gjatë shtatzënisë.
“Rezultatet tona u japin siguri prindërve të rinj se të gjitha format e imunizimit kundër RSV janë të sigurta dhe sigurojnë nivele të larta antitrupash te foshnjat, çka është thelbësore gjatë sezonit të sëmundjeve respiratore,” deklaroi Dr. Christina Rostad, drejtoreshë e Klinikës së Kërkimeve për Vaksina në Qendrën Pediatrike të Emory në Atlanta.
Studimi përfshiu 181 nëna dhe foshnja nga tetë spitale në SHBA, të ndara në tri grupe:
nënat e vaksinuara gjatë shtatzënisë,
kombinimi i vaksinës së nënës me injeksionin e foshnjës,
vetëm injeksioni i foshnjës, pa vaksinë gjatë shtatzënisë.
Rezultatet treguan se të gjitha foshnjat kishin nivele të larta të antitrupave kundër RSV, ndërsa ato që morën edhe vaksinën përmes nënës edhe injeksionin pas lindjes, nuk shfaqën asnjë efekt anësor serioz.
Në veçanti, foshnjat që morën vetëm injeksionin, pa vaksinë nga nëna, patën rritje 25-fish të mbrojtjes kundër RSV – në krahasim me rritje trefish te ato që morën të dyja metodat.
Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), injeksioni nirsevimab rekomandohet për të gjitha foshnjat nën 8 muajsh, kur nënat nuk janë vaksinuar gjatë shtatzënisë.
Një studim tjetër i publikuar më herët në revistën Pediatrics zbuloi se gjatë sezonit 2023–2024, rreth 43% e foshnjave në SHBA morën injeksionin nirsevimab, ndërsa 68% e nënave nuk ishin vaksinuar gjatë shtatzënisë.
RSV mbetet një ndër shkaktarët kryesorë të infeksioneve të rënda respiratore te foshnjat, ndaj ekspertët theksojnë rëndësinë e imunizimit – qoftë përmes vaksinimit të nënës, qoftë përmes injeksionit pas lindjes.
Studimi është ende në zhvillim dhe do të vazhdojë të ndjekë nënat dhe foshnjat për një vit, për të vlerësuar qëndrueshmërinë e mbrojtjes imune dhe antitrupat në qumështin e gjirit.


