Kompania “Merck” në bashkëpunim me partnerin e saj në Kosovë “Varus Ks” i kanë dhuruar QKUK-së 30 fidane pemësh.
Kështu kanë bërë të ditur QKUK dhe “Varus” përmes një njoftimi për media.
Në këtë aktivitet mori pjesë u.d. drejtori i përgjithshëm i QKUK-së, Mentor Zejnullahu, i cili falënderoi organizatorët për këtë iniciativë të vlefshme që kontribuon jo vetëm në gjelbërimin e ambientit, por edhe në përçimin e mesazhit të kujdesit, qëndrueshmërisë dhe shpresës për jetën.
“Çdo hap për një ambient më të shëndetshëm është një hap drejt një jete më të mirë. Falënderojmë kompanitë Merck dhe Varus për përkushtimin dhe bashkëpunimin me QKUK-në në këtë nismë simbolike, që mbjell shpresë për të ardhmen”, u shpreh drejtori Zejnullahu.
Në këtë njoftim thuhet se donacioni është dhuruar në shenjë falënderimi dhe përkushtimi për shëndetin riprodhues, me rastin e 30-vjetorit të suksesit dhe kujdesit të vazhdueshëm për jetën dhe shpresën.
“Këta fidane janë simbol i gjelbërimit, i zhvillimit dhe i vazhdimësisë së jetës — ashtu si misioni ynë për të përkrahur mirëqenien dhe shëndetin e çdo familjeje. Çdo pemë që mbjellim sot përfaqëson një shpresë të re për jetën, për gjeneratat e ardhshme dhe për një ambient më të shëndetshëm në hapësirat ku lind jeta çdo ditë”, thuhet në njoftimin e “Varus”. /Gazeta Shneta/




