Demenca prek mbi 55 milionë njerëz në mbarë botën dhe pritet të arrijë në 78 milionë raste deri në vitin 2030.
Edhe pse faktorë si mosha dhe gjenetika nuk mund të ndryshohen, elementë të stilit të jetesës si ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik dhe mbajtja aktive e trurit mund të ndikojnë në uljen e rrezikut, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i botuar në “Alzheimer’s & Dementia: Translational Research and Clinical Interventions”, sugjeron se trajnimi kompjuterik i “shpejtësisë njohëse” mund të zvogëlojë rrezikun e demencës deri në 20 vite më pas.
Studimi u financua nga Instituti i Shëndetit Publik të SHBA-së dhe u mbështet në të dhënat e projektit të madh “ACTIVE”.
Rreth 2,800 të rritur me moshë mesatare 74 vjeç u ndanë në katër grupe: trajnim i shpejtësisë, kujtesës, arsyetimit ose grup kontrolli.
Trajnimi i shpejtësisë synonte përmirësimin e përpunimit vizual dhe marrjes së shpejtë të vendimeve përmes ushtrimeve të personalizuara dhe progresive.
Pjesëmarrësit zhvilluan 10 seanca fillestare dhe një pjesë e tyre mori edhe seanca përforcuese (“booster”) pas vitit të parë dhe të tretë.
Pas 20 vitesh ndjekjeje, ata që morën trajnim të shpejtësisë me seanca përforcuese kishin 25% më pak rrezik për t’u diagnostikuar me demencë krahasuar me grupin e kontrollit. Grupet e tjera nuk treguan përfitime domethënëse.
Këto rezultate sugjerojnë se trajnimi i vazhdueshëm dhe i strukturuar i shpejtësisë njohëse mund të jetë një strategji premtuese për ruajtjen afatgjatë të shëndetit të trurit. /Gazeta Shneta/


