Shkencëtarët nuk gjetën prova që përdorimi afatshkurtër dhe afatmesëm i medikamenteve për të shtypur sistemin imunitar rrit rrezikun e kancerit.
Për njerëzit me sëmundje inflamatore, si lupusi eritematoz sistemik (SLE) dhe artriti reumatoid, vendimi për të përdorur ilaçe imunosupresuese për të ndihmuar në menaxhimin e gjendjes së tyre mund të jetë i vështirë – kryesisht sepse përdorimi afatgjatë i këtyre ilaçeve shoqërohet me një rrezik në rritje të kancerit, shkruan Health News përcjell Gazeta Shneta.
Megjithatë, hulumtimi i ri i botuar në revistën “BMJ Oncology”, gjeti prova se marrja e një ose më shumë imunosupresantëve – veçanërisht frenuesit të TNF, antimetabolitët, agjentët alkilues dhe frenuesit e kalcineurinës – për 10 vjet ose më pak nuk rrit rrezikun e kancerit.
Për të kryer hulumtimin, shkencëtarët nga Universiteti i Pittsburgh dhe Mass General Brigham’s Mass Eye and Ear Clinic, gjurmuan 10,872 pjesëmarrës nga grupi i terapisë imunosupresive sistemike për sëmundjet e syrit (SITE) për 10 vjet pasi morën imunosupresues.
Kohëzgjatja mesatare e përdorimit të ilaçeve ishte një vit dhe disa pjesëmarrës morën më shumë se një imunosupresant.
Pas analizimit të të dhënave, studiuesit nuk gjetën prova që përdorimi afatshkurtër dhe afatmesëm i imunosupresantëve rrit rrezikun e kancerit, pavarësisht nga doza.
Megjithatë, autorët e studimit vërejnë se për shkak se studimi shqyrtoi në mënyrë specifike pjesëmarrësit me sëmundje jo-infektive të syrit, rezultatet mund të mos jenë të njëjta për të gjithë ata që marrin këto barna imunosupresuese.
Megjithatë, gjetjet mund të jenë të përgjithësueshme për njerëzit me kushte inflamatore. /Gazeta Shneta/


