Një studim i udhëhequr nga Universiteti i Sidneit ka zbuluar se nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes motit dhe dhimbjeve të shpinës, gjurit apo ijeve – duke sfiduar bindjen e përhapur se ndryshimet klimatike, si temperatura apo lagështia, mund të përkeqësojnë dhimbjet muskuloskeletore apo artritin.
Prej kohësh besohet se shirat apo ndryshimet e temperaturës ndikojnë në dhimbjet e muskujve dhe kyçeve, por studiuesit australianë nuk kanë identifikuar asnjë model të qëndrueshëm që ta vërtetojë këtë.
Sipas burimit Medical Xpress, vetëm në rastin e përdhes u vu re një lidhje e mundshme: temperaturat e larta dhe lagështia e ulët duket se dyfishojnë rrezikun e shpërthimit të sëmundjes, për shkak të dehidratimit dhe rritjes së acidit urik.
Pavarësisht se më shumë se një e katërta e australianëve vuajnë nga sëmundje kronike muskuloskeletore, ekzistojnë ende keqkuptime të përhapura dhe mundësi të kufizuara për trajtim.
“Ka një perceptim të përhapur se dhimbjet përkeqësohen me ndryshimet e motit,” tha profesorja Manuela Ferreira, autore kryesore e studimit. “Por kërkimi ynë tregon se moti nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në shumicën e këtyre dhimbjeve.”
Studiuesit analizuan të dhëna nga mbi 15,000 pjesëmarrës në studime ndërkombëtare dhe theksojnë se gjetjet e tyre përmbysin një mit të zakonshëm dhe u bëjnë thirrje pacientëve që të mos lejojnë që moti të ndikojë në zgjedhjet e tyre të trajtimit.
Ky studim u botua “Seminars in Arthritis and Rheumatism”. /Gazeta Shneta/


