Semaglutidi, një medikament i përdorur gjerësisht për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe për humbjen e peshës, vazhdon të tërheqë vëmendjen e komunitetit shkencor për shkak të efikasitetit të tij dhe përdorimit në rritje.
Ky përbërës aktiv gjendet në ilaçe të njohura për menaxhimin e obezitetit dhe diabetit dhe është bërë shumë i kërkuar në vitet e fundit, veçanërisht për aftësinë e tij për të ndihmuar në uljen e konsiderueshme të peshës trupore dhe në reduktimin e rreziqeve shëndetësore të lidhura me obezitetin, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sipas të dhënave të fundit, përdorimi i këtyre barnave është rritur ndjeshëm. Një studim ka treguar se numri i recetave për medikamente që përmbajnë semaglutid është rritur me rreth 442% nga janari i vitit 2021 deri në dhjetor 2023.
Megjithatë, pavarësisht përfitimeve të tij, semaglutidi është lidhur edhe me disa efekte anësore të mundshme, si probleme me sistemin tretës, rënie të flokëve dhe shqetësime të tjera shëndetësore.
Në disa raste janë raportuar edhe dyshime për lidhje me mendime vetëvrasëse, gjë që ka bërë që autoritetet shëndetësore, përfshirë Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), të analizojnë më nga afër sigurinë e këtyre medikamenteve.
Studimet që kanë shqyrtuar këtë çështje kanë dhënë rezultate të ndryshme. Disa kërkime kanë treguar se personat që përdorin semaglutid madje mund të kenë një rrezik më të ulët të ideve vetëvrasëse krahasuar me ata që përdorin medikamente të tjera për diabetin apo humbjen e peshës.
Një studim i ri nga studiuesit e Shkollës së Mjekësisë Perelman në Universitetin e Pensilvanisë ofron më shumë qartësi mbi këtë temë. Hulumtimi, i publikuar në revistën “JAMA Internal Medicine”, analizoi të dhënat e më shumë se 3,500 personave me obezitet gjatë një periudhe trajtimi prej 68 javësh me semaglutid.
Rezultatet treguan se vetëm rreth 1% ose më pak e pjesëmarrësve përjetuan mendime ose sjellje vetëvrasëse gjatë trajtimit. Gjithashtu, 2.8% e personave që morën semaglutid raportuan simptoma depresioni, krahasuar me 4.1% të atyre që morën placebo. Studiuesit theksojnë se këto nivele janë të ngjashme me ato që vërehen në popullatën e përgjithshme.
Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Thomas Wadden, rezultatet sugjerojnë se semaglutidi nuk rrit rrezikun e depresionit apo të mendimeve vetëvrasëse te individët që nuk kanë probleme të rëndësishme të shëndetit mendor.
Këto gjetje përputhen edhe me analiza të tjera shkencore dhe me vlerësimet e fundit të FDA-së, të cilat nuk kanë gjetur prova që ky ilaç shkakton sjellje vetëvrasëse. /Gazeta Shneta/


