Shumë lloje të kancerit janë në rritje tek njerëzit nën moshën 50 vjeç dhe arsyet mbeten të paqarta, sipas një studimi të ri.
Studiuesit thonë se më shumë se dy milionë raste të kancerit me fillim të hershëm u diagnostikuan në SHBA midis viteve 2010 dhe 2019.
Rritjet më të mëdha të kancerit me fillim të hershëm u gjetën në kancerin e gjirit, kolorektal, veshkave dhe mitrës tek femrat.
Por një rritje e ndjeshme e llojeve të tjera, duke përfshirë kancerin e pankreasit, stomakut dhe melanomën e lëkurës, u vu re edhe tek pacientët më të rinj, shkruan HealthDay, transmeton Gazeta Shneta.
Këto gjetje vijnë nga një analizë e të dhënave qeveritare për kancerin, e kryer sipas grupmoshave. Grupet me fillim të hershëm të kancerit përfshinin pacientët 15-29 vjeç, 30-39 vjeç dhe 40-49 vjeç.
Në përgjithësi, studiuesit gjetën rritje të ndjeshme të shkallës së 14 llojeve të kancerit në të paktën një grupmoshë me fillim të hershëm. Nëntë nga këto kancere u rritën gjithashtu në të paktën një grupmoshë më të vjetër.
Autorët thonë se ndërsa shkalla e disa kancereve me fillim të hershëm është rritur në SHBA vitet e fundit, vdekshmëria totale nga kanceri nuk është rritur.
Autori kryesor thotë se pyetja pse është ende pa përgjigje, por ky studim i ri ofron disa të dhëna.
Ajo thotë se këto gjetje sugjerojnë se “mund të ketë faktorë rreziku që ndikojnë në zhvillimin e kancerit përgjatë moshave ose përparime në teknologjitë e shqyrtimit ose imazherisë që lejojnë që kanceret të zbulohen më shpesh se më parë”./Gazeta Shneta/


