Të kuptuarit e foshnjave i mrekullojnë mjekët, studiuesit dhe prindërit. Në kushtet kur teknologjia mund të masë valët e trurit dhe tregues të tjerë, studiuesit po zbulojnë se foshnjat kuptojnë më tepër nga sa mendojmë ne.
Kur dhe sa fillojnë ato të kuptojnë foshnjat? Këto pikëpyetje i kanë bërë studiuesit të monitorojnë trurin e të porsalindurve.Në Universitetin Northwestern, studiuesit kohët e fundit arritën në përfundimin se shumë para se të fillojnë të flasin, foshnjat i kuptojnë fjalët dhe mund t’i lidhin ato me objektet që përfaqësojnë.
Finn është 4 muajsh dhe nuk di të flasë, por ai e kupton se çfarë i thotë e ëma. Studimi i Universitetit Northwestern dhe të tjera studime tregojnë se gjëja më e mirë që mund të bëjnë prindërit, është që t’u flasin fëmijëve të tyre. Covington Campbell filloi të flasë me fëmijën e saj që para se ai të lindte
“Unë kam folur me Finn-in gjatë gjithë kohës. I tregoja çdo gjë që bëja,”- thotë ajo.
Studiuesit mendojnë se foshnjat fillojnë ta zhvillojnë aftësinë e të folurit që në mitrën e nënës. Campbell studionte për drejtësi kur ishte shtatzënë me Finn-in.
“Unë isha në semestrin e fundit të studimeve për drejtësi dhe le flasim bashkë përsëri pas 30 vjetësh, për të mësuar në se ai do të jetë jurist, sepse Finn ishte i gjallë kur unë ndiqja klasat dhe ai gjithmonë dëgjonte profesorët e mi kur flisnin…”
Profesore Kathy Hirsh Pasik drejton laboratorin e gjuhës së foshnjave në Universitetin Temple të Filadelfias.
“Ne mendojmë se proceset e para të zhvillimit të gjuhës fillojnë që në mitrën e nënës, sepse foshnjat e dëgjojnë nënën kur flet,”- thotë profesorja.
Studiuesit thonë se kjo ndodh kur foshnjat dëgjojnë melodinë e gjuhës.
“Nganjëherë foshnjat mund të kujtojnë disa nga fjalët që ata kanë dëgjuar dhe në lëndën gjuhës ata marrin shumë. Vërtet që mund të mos e dallojnë frëngjishten nga spanjishtja, psh, por ata e dinë se ato i përkasin një grupi, kurse anglishtja dhe gjermanishtja i përkasin një tjetër grupi…”
Një studim tjetër tregon se foshnjat dhe fëmijët të cilëve u flasin vazhdimisht, kanë një nivel inteligjence më të madhe më vonë, ose dalin më mirë në shkollë.
Specialistja e zhvillimit të fëmijëve Judy Montgomery i nxit prindërit të flasin me fëmijët e tyre.
“Prindërit, kujdestarët, anëtarët e familjes janë të parët që i njohin fëmijët me gjuhën, dhe sa më shumë fjalë të dëgjojnë, aq më i gjerë është fjalori i tyre.”
Ka madje edhe pajisje që masin fjalët që dëgjojnë foshnjat, për t’i ndihmuar prindërit të vlerësojnë se sa u flasin fëmijëve. Por studjesja Hirsh-Pasik paralajmëron që foshnjat nuk është mirë të qëndrojnë para televizionit.
“Foshnjat kanë nevojë për komunikim të ndërsjellë, apo reciprok.”
Campbell thotë se i pëlqen t’i këndojë djalit të saj.
“Kur i këndojmë, ai qesh shumë. Patjetër që ai reagon kur i këndon, si të thuash qetësohet,”- thotë Campbell.