Blerim Syla nuk po dorëzohet në pretendimet e tij për të mbajtur pozitën e kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë.
FSSHK gjatë ditës së djeshme doli me një njoftim se kryetarja e re Tevide Imeri e ka pranuar detyrën pasi u zgjodh në këtë pozitë nga kuvendi. Sipas njoftimit Imeri e pranoi detyrën e kryetares në prani të Komisionit, shkruan Gazeta Shneta.
Por për Blerim Sylën një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ai ka deklaruar se dje nuk është kryer as dorëzimi e as pranimi i detyrës së kryetarit.
“Desha të ju njoftoj se dje nuk ka pasur asnjë pranim dorëzim të detyrës në FSSHK. Aq më tepër avokati im nga sot kërkon që të dorëzohen të gjitha dokumentet se si është ardh deri te kjo situatë pasi që unë kam bë kallëzim penal e çështja gjendet në Prokurori”, ka deklaruar Syla.
“Unë apeloj te punëtorët shëndetësorë që të rrijnë të qetë sepse fjalën e fundit e ka drejtësia. Çdo veprim tjetër shkon në dëm të FSSHK-së”, ka thënë Syla.
Kujtojmë se Tevide Imeri u zgjodh kryetare e FSSHK-së në kuvendin e mbajtur javën e kaluar. Mbledhja e parë e kuvendit ishte mbajtur para një muaji, por e njëjta ishte ndërprerë për shkak të një incidenti që ndodhi në mes të anëtarëve ku pati sharje e fyerje. /Gazeta Shneta/