Kosova është i vetmi vend në rajon pa ligj për transplant të organeve. Mungesa e këtij ligji prek direkt pacientët të cilët janë të detyruar të udhëtojnë jashtë vendit apo në pamundësi për një gjë të tillë jeta e tyre mund të rrezikohet.
Edhe pse disa herë i kemi dëgjuar deputetët gjatë seancave në Kuvend duke diskutuar rreth mungesës së Ligjit për Transplant të Organave, megjithkëtë një gjë e tillë mbetet ende vetëm çështje diskutimi e në anën tjetër pacientët shpenzojnë më mijra euro për transplant të një organi apo mund të vdesin për shkak të pamundësisë për transplant, duke pasur parasysh që kosto për një shërbim të tillë është i lartë.
Kosova aktualisht ka të miratuar vetëm Ligjin për Transplantin e Indeve dhe Qelizave – ligji i cili nuk rregullon transplantin e organeve, donacionin e gjakut, transfuzionin e komponentëve të gjakut dhe riprodhimin e asistuar.
Sipas anëtarit të Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Muhamedali Kodra, sistemi ynë shëndetësore ka probleme serioze në të gjitha hallkant jo vetëm në transplantim të organeve.
“Ofrimi i shërbimeve të transplantimit të organeve, padyshim që është i rëndësishme por nuk e di se sa duhet të jetë prioritet në gjendjen aktuale të sistemit. Nuk është shumë problem transplantimi si akt sa është kompleks trajtimi i pacientit pas operimit”, pohon ai, ndërsa shton se për të gjitha këto raste Qeveria duhet të marrë përsipër të gjitha shpenzimet.
Në institucionet shëndetësore në vend përvec mungesës së shërbimit për transplant të organeve ka mungesë edhe të shërbimeve tjera shëndetësore. Kodra konsideron se qeveria duhet të arrijë t’i ofrojë shërbimet në bazë të nevojave dhe kapaciteteve që posedon.
Ai vlerëson se pacientët duhet të përfitojnë nga Paketa Përfituese, e cila duhet t’i përmbajë të gjitha kërkesat e pacientëve.
“Ne duhet të kemi parasysh që Kosova është vend i vogël dhe asnjëherë nuk do të arrijë që t’i ofrojë të gjitha shërbimet. Rrjedhimisht, qeveria në bazë të nevojave dhe kapaciteteve duhet ta hartojë Paketën Përfituese të cilën duhet ta subvencionoj për qytetarët e vet”, nënvizon Kodra.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherish anëtar i Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, thotë se Qeveria aktuale nuk e ka paraparë Ligjin për Transplant të Organeve fare në agjendën legjislative për këtë vit.
Ai gjatë një seance parlamentare ka kërkuar nga Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi që të sjellë në Kuvend draftin e projektligjit për transplantim të organeve në mënyrë që të punojnë në atë draft.
Haxhiu thekson se gjatë mandatit të Qeverisë Thaçi 2 është sjellë në Kuvend për miratim Ligji për Transplant mirëpo nuk është miratuar nga deputetët.
“Qeveria Thaçi 2 e ka sjell në Kuvend por nuk është miratuar ka mbet në procedur, pastaj Ferit Agani (ish ministër i shëndetësisë) e ka tërhjek si projektligj. Dhe në Legjislaturën e kaluar e kemi inicuar ne në Komisionin për Shëndetësi u shpërbë Kuvendi dhe është kthyer në pikën zero”, sqaron ai.
Në anën tjetër, Specialisti i Kardiologjisë, Daut Gorani, thotë se institucionet shëndetësore në vend ende janë larg mundësisë së transplantimi të zemrës apo organeve tjera.
“Së pari për shkak të mungeses së legjislacionit lidhur me transplantate, pastaj mungesen e bankove të homograftit (organeve për transplantim), mungesës së kushteve për përcjellje adekuate laboratorike dhe kushteve tjera, dhe ajo që është kryesorja mungesa e stafit të trajnuar për procedura të transplantimit”, numëron arsyet ai, duke shtuar se institucionet relevanate përgjegjëse për rregullimin e kësaj legjislature nuk kanë qenë të interesuara në avancimin e këtij shërbimi.
Nga mungesa e transplantit pacientët po vdesin
Mjekët janë personat e parë të cilët ballafaqohen direkt me mungesën e dhënies së shërbimit të transplantit të organeve ndaj pacientëve të cilët kanë nevojë për një shërbim të tillë. Ofrimi i shërbimeve mjekësore bëhet ende më i vështirë kur pacienti ka nevoj për transplant të një organi dhe për shkak se një shërbim i tillë është i pamundur pacienti mund të vdes.
Me një situatë të tillë është ballafaqur kardiologu, Daut Gorani, i cili thekson se rastet më të shpeshta të cilët kanë nevoj për transplant janë moshat e reja.
“Ndonjëherë ballafaqohemi me situatë ku pacienti ka nevojë për transplantim të zemres, kryesisht janë pacientë të rinjë në moshë me miokardit ku vie deri te zgjerimi enorm i zemrës dhe rrënje e theksuar e funksionit të zemrës si pompë. Ka pasur nevojë për transplantim të zemres te pacientët tonë, por në mungesë të transplantit pacientët kanë vdekur”, rrëfen ai.
Gorani gjithashtu kujton edhe një moment kur dy pacientë janë dërguar jashtë vendit dhe me sukses është bërë tranplanti i zemrës në trupin e tyre.
“Para më se 15 vitesh dy pacientë të rinj kanë pasur fatin të ju transplantohet me sukses zemra në Graz të Austrisë dhe me sa e di unë ata jetojnë dhe tani duhet të jenë në moshë diku 35 vjeçarë”, vazhdon rrëfimin për Gazetën Shneta.
Në shumë shtet të botës transplanti i organeve është i lejuar ligjërisht vetëm për shtetasit e tyre ndërsa është i ndaluar për qytetarët e shteteve tjera.
Në anën tjetër nga Ministria e Shëndetësisë thonë se Ligji për Transplant të Organeve ishte hartuar para disa viteve mirëpo pas dërgimit ne Komisionet Parlamentare të Kuvendit me kërkesë të EULEX-it ishte sugjeruar të tërhiqet nga procedurat për një kohë të papërcaktuar.
“Por, me që kanë kaluar disa vite, ky ligj do të futet në agjendën legjislative per t’u hartuar sërish dhe miratuar dhe për t’i hapur rrugë transplantimit të organeve në Kosovë
Paralelisht do të vlerësohen edhe kapacitetet dhe mundësitë e tyre për të kryer transplantime të organeve të caktuara”, thonë nga ministria në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Nga ministria gjithashtu theksojnë se një ligj i tillë është i nevojshëm pasi që përmes mundësisë për transplantim të organeve do të kurseheshin edhe mjete e buxhetit të shtetit.
“Ne QKUK para disa vitesh është kryer një transplantim i veshkës, nga një ekip që ka ardhur nga jashtë i asistuar nga profesionistë këtu, por i cili kishte sjellë me vete edhe pajisjet për kryerjen e ndërhyrjes”, tregojnë nga MSh.
Mungesa e barnave dhe materialeve në Klinikën e Kardiologjisë
Institucionet shëndetësore në vend ballafaqohen me mungesë të barnave e materialeve shpenzuese nga Lista Esenciale e Barnave, infrastruktura është e dobët në shumicën e spitaleve, klinikave e qendrave shëndetësore komunale për shkak të mungesës së investimeve që nga pas lufta apo investimeve të dobëta.
Haxhiu, vlerëson se para se të miratohet Ligji për Transplant të Organeve Ministria e Shëndetësisë duhet të investojë në përmirësimin e infrastrukturës në institucione shëndetësore si dhe në përgatitjen e personelit shëndetësorë.
“Me ligj do të rregullohet transplantimi i të gjitha organeve për te cilat shkenca e ka dhënë miratimin për transpalntim. Ne kemi profesionist shumë te mirë shëndetësor dhe duhet të i dërgojm edhe në edukime shtesë”, shprehet ai.
“MSh duhet që njëkohësisht të punoj në miratim të ligjit dhe përgaditje të stafit mjekësor, si dhe të investoj në infrastruktur dhe apartur mjekësore për të realizuar transplantimet e organeve”, shprehet tutje.
Mungesa e barnave dhe materialeve ndikon në procesin e punës së mantelbardhëve.
Specialisti i kardiologjisë, Daut Gorani, i cili punon në Klinikën e Kardiologjisë, tregon se përkundër mungesave të barnave medicinale e materialeve shpenzuese ata arrijnë të kryejnë intervenime shumë të komplikuara.
Ai pohon se nëse do të kishin kushte më të mira suksesi do të ishte më i lartë.
“Çdo ditë ballafaqohemi me mungesë të mjeteve të punës, barnave, materialit shpenzues, gjë që na vështirëson shumë punën tonë të përditshme. Kushtet tona të punës janë shumë modeste, mirëpo përkundër kësaj modestie ne realizojmë intervenime shumë të komplikuara, duke shfrytëzuar maksimalisht mjetet dhe kushtet që i kemi”, shprehet ai në një prononcim për Gazetën Shneta.
Sëmundjet e zemrës
Sëmundjet e zemrës më të përhapura në vend por edhe në tërë botën janë sëmundjet iskemike të zemrës që do të thotë sëmundjet për shkak të ngushtimit të arterieve koronare pra arterieve që furnizojnë muskulin e zemres me gjak.
Sipas kardiologut sëmundjet e zemrës gjithashtu varen shumë edhe nga mosha e pacientit.
“Kryesisht prekin moshat e shtyera, por ndonjëherë prekin edhe moshat e reja. Te moshat e shtyera janë kryesisht të pranishme sëmundjet e arterieve koronare, dhe ndryshimet aterosklerotike, sëmundjet degjenerative të valvulave, kardiomiopatitë, apo sëmundjet e muskulit të zemres (trashja e mureve të zemrës, zgjerimi i dhomave të zemres). Tek moshat e reja dominojnë veset e lindura të zemrës, dhe rrallë here miokarditet apo inflamacionet virale të zemrës”, thotë Gorani.
Sëmundjet e zemrës shpesh herë mund të jenë të rrezikshme për pacientin, duke dërguar deri në vdekjen e tij.
Infarkti akut i miokardit mbetet sëmundja më e rezikshme e zemrës dhe ka vdekshërinë më të lartë.
Niveli i lartë apo metabolizmi i çrregulluar i yndyrnave në gjak, konsumi i duhanit, sëmundja e diabetit, hipertensioni, obesiteti dhe predispozitat gjenetike për sëmundjet e zemres apo trashëgimia janë disa nga faktorë të rrezikshmë të cilat shkaktojnë në sëmundjen e zemrës./Gazeta Shneta/