Pas shfaqjes së fruthit në vendin tonë duket se prindërit që nuk kishin bërë vaksinën e MMR fëmijëve të tyre janë frikësuar, të gjendur tanimë edhe nën presionin e çerdheve kopshteve kanë rendur nëpër konsultore për t’i vaksinuar, shkruan Top Channel.
“Tre vjeç është fëmija, nuk është vaksinuar se ka qenë me viroza”.
“Po ia bëj se ma kërkojnë tek çerdhja”-shprehen prindërit.
Doza e parë e vaksinës që të mbron nga fruthi dhe nga rubeola duhet bërë sapo fëmija mbush 12 muaj, pasi presupozohet që deri në atë moshë fëmija gëzon imunitet nga qumështi i gjirit që ka marrë nga nëna, më pas ky imunitet bie. Ndërsa doza e dytë përforcuese bëhet në moshën 5 vjeçare .
“Ka një ndërgjegjësim të prindërve këto ditë. Javën që kaloi kemi bërë 100 doza të para dhe 60 doza të dyta”-shprehet mjekja Erma Cobaj.
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe tek fëmijët e pavaksinuar shkakton temperaturë të lartë, dëmtim të cipës se trurit deri dhe humbje jete. Kjo sëmundje prek edhe fëmijët e vaksinuar por e kalojnë lehtë sëmundjen. .