Ministria e Ekonomisë ka dërguar një sqarim për Gazetën Shneta pas raportimit se Qendra Klinike Universitare ia ka dhënë tenderin për atestimin e bombolave të gazit medicinal, një kompani e cila është e licencuar për bombola të gazit teknik.
Gazeta para se ta publikonte artikullin për këtë rast, kishte kërkuar sqarime nga MEPTINIS, pasi kjo ministri është përgjegjëse për licencimin e kompanive për atestimin e bombolave nën presion, shkruan Gazeta Shneta.
MEPTINIS është përgjigjur ditën e sotme ku ka deklaruar se operatori ekonomik që është i autorizuar për bombola të gazit teknik, ka të drejt të bëj ekzaminimin dhe mbushjen edhe të bombolave me gazra medicinale.
“Operatori ekonomik (O.E.) (kompania) që ka autorizimin për ekzaminimin dhe mbushjen e bombolave me gazra teknike, ka të drejtë të bëjë ekzaminimin dhe mbushjen e bombolave me gazra medicinale. (Sipas Ligjit për Pajisjet nën Presion, nr. 06/L-031 neni 1 dhe 2). Fakti që O. E. që ka autorizimin për ekzaminimin dhe mbushjen e bombolave me gazra teknike, ka të drejtë të bëjë ekzaminim dhe mbushjen e bombolave me gazra medicinale, autorizimi vlen edhe për gazra medicinale”, thuhet në përgjigjen e MEPTINIS.
Gazeta ditën e djeshme ka raportuar për tenderin e QKUK-së ku në dosje kërkohej që kompania të kishte autorizim për atestimin e bombolave nën presion të gazit medicinal, ndërsa kompania që kishte fituar tenderin mbante autorizimin për bombola të gazit teknik. (Artikullin e plotë mund ta lexoni KËTU). /Gazeta Shneta/