Anëtarët e Bordit të ShSKUK-së Dren Boshnjaku, Tetore Olloni, Rrezarta Bajrami-Halili, Besim Demolli, Vjollca Kadolli, Enver Gashi dhe Ibrahim Rudhani kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Dren Boshnjaku ka deklaruar se ka pasuri të paluajtshme një banesë 93.77 m2 me vlerë 73 mijë euro, ndërsa pasuri të luajtshme ai ka raportuar se ka dy vetura, një të tipit “Volswagen” në pronësi të tij me vlerë 11 mijë euro, dhe një tjetër në pronësi të bashkëshortes me vlerë 15 mijë euro.
Boshnjaku ka deklaruar se gjithashtu zotëron një Ordinancë Specialistike, Neurologjike dhe Endokrinologjike “TIA”.
Para të gatshme ka deklaruar se ka mbi 9900 euro nga paga mujore, kujdestari, shtesa nga bordi i ShSKUK dhe këshilli drejtues i odës së mjekëve dhe kursime të tjera. Teksa, bashkëshortja e tij ka mbi 4 mijë euro para të gatshme. Ai ka edhe një kredi bankare me vlerë 126 euro
Boshnjaku ka deklaruar edhe të ardhurat vjetore nga katër institucione, ShSKUK mbi 14 mijë euro, Universiteti “Hasan Prishtina” 600 euro, Oda e Mjekëve të Kosovë 800 euro dhe Ordinanca “TIA” 20 mijë euro. Ndërkaq, bashkëshortja e tij e cila është e punësuar në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Vushtrri ka mbi 6 mijë euro të ardhura.
Nga bordi drejtues, pasurinë e ka deklaruar edhe Tetore Olloni e cila ka deklaruar 9 pasuri të paluajtshme, tri banesa, një 35 m2 në emrin e saj, një 65 m2 në pronësi të përbashkët dhe një tjetër 119 m2 në emrin e bashkëshortit. Bashkëshorti i saj gjithashtu posedon edhe dy garazha, dy depo, një objekt afarist 576 m2 dhe truall 821 m2.
Pasuri të luajtshme, Olloni ka deklaruar një veturë “Mercedez-Benz” me vlerë mbi 7 mijë euro në pronësi të saj dhe një të tipit “Audi” në pronësi të bashkëshortit të saj me vlerë 12 mijë euro, një motoçikletë gjithashtu në pronësi të bashkëshortit dhe një tjetër në pronësi të fëmijëve.
Para të gatshme, ajo ka deklaruar 10 mijë euro që janë në emër të bashkëshortit. Ndërsa të ardhura vjetore, Olloni ka raportuar mbi 1 mijë euro pagë si e punësuar në QKUSK, 400 euro nga Universiteti “Hasan Prishtina”, 270 të tjera nga ShSKUK dhe mbi 22 mijë euro nga qeraja që merr bashkëshorti i saj.
Deklarimin e pasurisë e ka bërë edhe mjekja specialiste mikrobiologe, Rrezarta Bajrami-Halili, e cila pasuri të paluajtshme ka renditur vetëm një banesë 77 m2 me vlerë mbi 120 mijë euro, e që është në pronësi të bashkëshortit të saj.
Si pasuri të luajtshme, Bajrami-Halili ka raportuar dy vetura, një “Renault” me vlerë 9 mijë euro në pronësi të saj dhe një të tipit “Volkswagen” me vlerë 6 mijë euro në pronësi të bashkëshortit.
Para të gatshme ajo ka deklaruar se ka mbi 1 mijë euro kursime në emër të saj, mbi 3 mijë në emër të bashkëshortit dhe mbi 12 mijë në emër të fëmijëve.
Rrezarta ka deklaruar se kanë edhe një kredi bankare 8 mijë euro në emër të bashkëshortit.
Bajrami-Halili ka raportuar edhe për institucionet ku ajo dhe bashkëshorti i saj janë të punësuar dhe marrin të ardhura vjetore personale dhe familjare të cilat i gjeni më poshtë:
Edhe anëtari tjetër i bordit, Besim Demolli ka bërë deklarimin e pasurisë duke listuar dy banesa, njëra 86 m2 me vlerë 57 mijë euro dhe një tjetër 97 m2 me vlerë 50 mijë euro si pasuri e paluajtshme që i ka në pronësi të përbashkët.
Pasuri të luajtshme, Demolli ka raportuar dy vetura, njëra e tipit “BMW” me vlerë 18 mijë euro dhe një e tipit “Volkswagen” me vlerë mbi 7 mijë euro.
Ndërsa, pasuri të gatshme ai ka deklaruar mbi 3 mijë euro dhe një borxh kredi bankare mbi 12 mijë euro.
Demolli ka deklaruar të ardhura vjetore nga tri institucione, Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj 18 mijë euro, nga Avicena KS 40 mijë euro dhe ShSKUK mbi 3 mijë euro. Ai ka deklaruar edhe të ardhurat e bashkëshortes, e cila gjithashtu punon në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj dhe ka të ardhura 22 mijë euro, dhe 12 mijë të tjera nga Poliklinika “Zeka” në Ferizaj.
Anëtarja e bordit të ShSKUK-së, Vjollca Kadolli-Halili ka listuar pasuri të paluajtshme një arë 394 m2, një shtëpi 160 m2 në pronësi të bashkëshortit, oborr 390 m2 dhe arë 394 m2 gjithashtu në pronësi të bashkëshortit, ndërkohë pasuri të luajtshme një veturë me vlerë 9 mijë euro.
Para të gatshme, Kadolli-Halili ka raportuar mbi 8 mijë euro kursime në emër të saj dhe 1 mijë tjera në emër të fëmijëve.
Ajo ka deklaruar se merr të ardhura nga pesë institucione, ShSKUK 270 euro, Komunën e Vitisë mbi 1 mijë euro, Ministria e Financave 172 euro dhe Thesari i Kosovës mbi 400 euro dhe mbi 3 mijë euro nga punët me kontratë, ndërkohë bashkëshorti i saj merr 304 euro nga BKT.
Anëtari Enver Gashi ka raportuar për katër pasuri të paluajtshme, një banesë 53 m2 me vlerë 72 mijë euro në pronësi të tij, shtëpi 300 m2 me vlerë 100 mijë euro në pronësi të prindërve, arë 3 hektar dhe pyll 3 hektar gjithashtu në pronësi të prindërve.
Pasuri të luajtshme ai posedon një veturë “Mercedes-Benz” me vlerë 20 mijë euro. Gashi ka raportuar se ka edhe dy kredi bankare të mbetura, një me vlerë 52 mijë euro dhe një tjetër mbi 3 mijë euro në emrin e bashkëshortes.
Të ardhura, Gashi merr nga dy institucione, ShSKUK mbi 1 mijë euro, biznes privat 300 euro, ndërkohë bashkëshortja e tij e punësuar si mësuese merr pagë 470 euro, dy prindërit e tij marrin nga 100 euro pension.
Në listën e deklarimit të pasurisë bën pjesë edhe anëtari tjetër Ibrahim Rudhani, i cili ka deklaruar se ka 29 pasuri të paluajtshme, të cilat i gjeni të bashkangjitura më poshtë:
Pasuri të luajtshme, Rudhani posedon një veturë e tipit “BMW” që ka vlerë mbi 19 mijë euro, të cilën e ka dhuratë nga djali në Zvicër.
Para të gatshme, ai ka deklaruar se ka mbi 12 mijë euro kursime në emër të tij dhe 180 euro në emër të bashkëshortes.
Rudhani ka raportuar të ardhura vjetore nga katër institucione, QKUK mbi 15 mijë euro, Universiteti “Hasan Prishtina” mbi 6 mijë euro, “CardioPlus & Partners SHPK” 4 mijë euro dhe Endomed-B 400 euro. Ndërsa, bashkëshortja e tij mbi 6 mijë euro nga Shkolla Fillore “Faik Konica” në Prishtinë dhe 50 euro subvencione.
Më poshtë gjeni edhe deklarimin e pasurisë së kryesuesit të Bordit Naim Bardiqi i cili njëherit është edhe Sekretar në MSh. /Gazeta Shneta/
Pasuria e dy shefave të MSh-së, ministrit Vitia dhe Sekretarit Bardiqi