Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka ofruar shërbime edhe për pacientët e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës dhe Shqipërisë.
Në raportin e SHSKUK-së për tremujorin e parë të këtij viti, bëhet e ditur se në këtë klinikë, pacientët nga Presheva janë trajtuar me kimioterapi, radioterapi, transfuzion, mjekim ditor dhe mjekim paliativ ditor, shkruan Gazeta Shneta.
“Bashkëpunim shumë të mirë kemi pas edhe me Klinikën e Neurokirurgjisë në Tiranë ku pacientëve nga Shqipërisë ju kemi ofruar ndihmë me citostatikë për disa sëmundje malinje të trurit dhe melanomën malinje. Pacientëve iu është dhënë citostatiku Temozolomide”, thuhet në raportin e Onkologjisë. Ndërsa aty theksohet edhe ofrimi i shërbimeve të radioterapisë për disa raste të pacientëve nga veriu i Shqipërisë.
Ndërkaq në tre muajt e parë të këtij viti në Onkologji janë paraqitur 355 raste të reja me sëmundjen e kancerit. Më së shumti raste janë në pjesën urogjenitale/gjinekologjike gjithsej 88. Me sëmundje malinje në gji janë paraqitur 87 raste, në kokë dhe qafë 71 raste, në mushkëri 49 dhe në traktin gastrointenstinal 60 raste të pacientëve.
Furnizimi me barna dhe citostatikë në këtë periudhë të vitit nga Ministria e Shëndetësisë ka qenë vetëm 54 për qind nga Lista Esenciale. /Gazeta Shneta/