Për shumë gra, ekzaminimi i kancerit të gjirit me një teknikë imazherike tredimensionale të quajtur tomosinteza dixhitale e gjirit (DBT), mund të mos ofrojë përparësi ndaj mamografisë dixhitale, por për disa gra mund të zvogëlojë mundësinë e një diagnoze të avancuar të kancerit, sipas një studimi të ri të botuar me 14 qershor në ‘Journal of the American Medical Association’ (JAMA).
Administrata e Ushqimit dhe Barnave në Amerikë (FDA), miratoi fillimisht marketingun e pajisjeve DBT në vitin 2011 dhe tani tomosinteza është e disponueshme në shumicën e qendrave të shqyrtimit të gjendjes së gjirit, shkruan burimi MedicalxPress, transmeton Gazeta Shneta.
Në krahasim me një mamografi standarde dixhitale, në të cilën rrezet X me dozë të ulët përdoren për të marrë imazhe të gjirit nga pjesa e përparme dhe anash, përdoret tomosinteza për të marrë rreze X të gjirit nga shumë kënde për të mbledhur imazhe 3D.
Studiuesit që kryen studimin e ri me 504,427 gra, të moshave 40 deri në 79 vjeç, zbuluan se ato me gjoksin më të dendur dhe rrezikun e kancerit të gjirit më të lartë se mesatarja përfituan më shumë nga tomosinteza dixhitale e gjirit (DBT).
“Një përqindje e vogël e grave – 3.6 përqind në studimin tonë – përfitojnë qartë nga DBT në lidhje me uljen e shkallës së diagnostikimit të avancuar të kancerit të gjirit,” tha Karla Kerlikowske, profesoreshë e mjekësisë, epidemiologjisë dhe biostatistikës në UC San Francisko.
Kanceret e avancuara të gjirit janë tumore që janë të mëdha dhe/ose janë përhapur në nyjet limfatike që kërkojnë kirurgji dhe trajtim sistematik dhe zbulimi i kancerit të gjirit përmes ekzaminimit para se të avancohen – mund të shmangë vdekjet nga kanceri i gjirit.
Ekzaminimi i kancerit të gjirit ka dëme dhe përfitime. Mund të çojë në rezultate false-pozitive që shkaktojnë ankth (një gjetje jonormale në një mamografi ekzaminuese që përcaktohet si jo-kancerogjene gjatë punës diagnostikuese) dhe në procedura dhe trajtime invazive mjekësore për të eliminuar tumoret e vogla të kufizuara në kanalet e qumështit që mund të mos rritet kurrë për t’u bërë kancer invaziv i gjirit ose të çojë në një diagnozë të mëvonshme të kancerit invaziv. /Gazeta Shneta/