Për shumë gra, diagnostikimi i endometriozës mund të zgjasë vite të tëra, por një teknikë e re skanimi mund të ndryshojë këtë situatë.
Një pilot studim nga Universiteti i Oksfordit sugjeron se përdorimi i skanimeve të specializuara CT, të kombinuara me një gjurmues molekular, mund të zbulojë më herët këtë sëmundje që shpesh nuk identifikohet nga metodat tradicionale, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Endometrioza prek rreth një në dhjetë gra dhe ndodh kur inde të ngjashme me ato të mitrës rriten në pjesë të tjera të trupit. Ajo shoqërohet me simptoma të rënda si dhimbje të forta menstruale, lodhje ekstreme dhe dhimbje abdominale, por shpesh ngatërrohet me probleme të tjera shëndetësore. Aktualisht, diagnoza mund të vonohet mesatarisht deri në nëntë vjet.
Metodat ekzistuese si ultrazëri dhe rezonanca magnetike nuk e zbulojnë gjithmonë sëmundjen, sidomos në fazat e hershme.
Studimi i ri përdori një teknikë ‘SPECT-CT’, me një substancë të quajtur maraciclatide, e cila identifikon zonat ku formohen enë të reja gjaku – një shenjë e hershme e endometriozës. Nga 19 gra të testuara, metoda arriti të identifikojë saktë shumicën e rasteve.
Megjithëse rezultatet janë premtuese, studiuesit theksojnë se nevojiten studime më të mëdha për ta konfirmuar këtë qasje. Aktualisht, diagnoza përfundimtare bëhet vetëm përmes laparoskopisë, një ndërhyrje kirurgjikale.
Zbulimi i hershëm mund t’u japë grave mundësi më të mira për trajtim dhe planifikim të jetës, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe duke reduktuar ndikimet në shëndetin mendor, fertilitet dhe karrierë. /Gazeta Shneta/


