Përveç ndikimit në shëndetin fizik, temperaturat ekstreme mund të kenë pasoja edhe në shëndetin mendor, duke rritur nervozizmin, ankthin dhe sjelljet agresive, paralajmërojnë ekspertët.
Sipas psikologëve, gjatë ditëve shumë të nxehta rritet numri i rasteve të agresivitetit, konflikteve në komunikacion, dhunës dhe paraqitjeve në shërbimet emergjente për probleme të shëndetit mendor.
Ekspertja e psikologjisë klinike, Susan Albers nga Cleveland Clinic, shpjegon se temperaturat e larta e vendosin organizmin nën stres, pasi truri shpenzon më shumë energji për ta mbajtur trupin të ftohtë.
“Kur ndihemi fizikisht të parehatshëm, kemi më pak durim, bëhemi më të irrituar dhe reagojmë më shpejt emocionalisht”, ka thënë ajo për Euronews Health.
Sipas saj, edhe dehidratimi i lehtë mund të ndikojë në funksionimin e trurit, duke dëmtuar përqendrimin, vendimmarrjen dhe kontrollin e emocioneve. Personat mund të ndihen të lodhur, të hutuar, më të shqetësuar ose nervozë, madje edhe para se të ndiejnë etje.
Ekspertët rekomandojnë konsumimin e rregullt të lëngjeve gjatë ditës, qëndrimin në ambiente të freskëta dhe shmangien e ekspozimit të zgjatur në diell gjatë orëve më të nxehta. Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon pirjen e ujit në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditës për të parandaluar dehidratimin dhe efektet e tij në organizëm.
Psikologët sugjerojnë gjithashtu që personat që ndihen të irrituar ose të mbingarkuar gjatë valëve të të nxehtit të ndryshojnë ambientin, të freskojnë trupin me ujë të ftohtë ose kompresa në qafë, kyçe dhe këmbë, si dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë temperaturave ekstreme.
Ekspertët theksojnë se, me shtimin e valëve të të nxehtit si pasojë e ndryshimeve klimatike, kujdesi për shëndetin mendor gjatë periudhave me temperatura të larta është po aq i rëndësishëm sa edhe mbrojtja nga efektet fizike të vapës.


