Një studim 20-vjeçar mbi shëndetin e grave pas menopauzës tregon se përfitimet e terapisë hormonale tejkalojnë rreziqet e mundshme për shumicën e grave.
Gjetjet e Iniciativës për Shëndetin e Grave (WHI), një studim i madh që fokusohet në parandalimin e sëmundjeve tek gratë pas menopauzës, i botuar në vitin 2002, theksoi efektet anësore të marrjes së terapisë së kombinuar të hormoneve për simptomat e menopauzës.
Më pas, u zbulua se përdorimi i estrogjenit dhe progestinës rrit rrezikun e kancerit të gjirit, sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, mpiksjes së gjakut dhe mosmbajtjes së urinës. Megjithëse gratë që përdornin terapi të kombinuar hormonale kishin më pak gjasa të përjetonin fraktura dhe të zhvillonin kancer kolorektal, këto përfitime nuk i tejkalonin rreziqet, përfundoi studimi.
Si rezultat, shumë gra ndërprenë terapinë hormonale, gjë që çoi në një rënie të mprehtë të shkallës së kancerit të gjirit në 2003.
Megjithatë, gjetjet e ndjekjes 20-vjeçare, të publikuara në “JAMA Women’s Health”, paraqesin një pamje të ndryshme. Studimi zbuloi se gratë nën moshën 60 vjeç kishin shkallë më të ulët të ngjarjeve të padëshiruara dhe një raport më të favorshëm përfitimi ndaj rrezikut përmes terapisë hormonale sesa gratë në menopauzë të mëvonshme.
Gjetjet mbështesin përdorimin e terapisë hormonale në menopauzën e hershme për trajtimin e afsheve të nxehta të moderuara deri në të rënda, djersitjes gjatë natës dhe simptomave të tjera të menopauzës, një indikacion i miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së (FDA).
Terapia hormonale nuk duhet të përdoret për të parandaluar sëmundjet e zemrës, goditjet në tru, demencën ose sëmundje të tjera kronike.
“Gjetjet e WHI nuk duhet të përdoren kurrë si një arsye për të mohuar terapinë hormonale për gratë në menopauzë të hershme me simptoma shqetësuese të menopauzës. Shumë gra janë kandidate të mira për trajtim dhe, në vendimmarrje të përbashkët me mjekët e tyre, duhet të jenë në gjendje të marrin kujdesin e duhur dhe të personalizuar shëndetësor për nevojat e tyre”, tha Dr. JoAnn Manson, shefe e Mjekësisë Parandaluese në “Brigham and Women’s Hospital” dhe autorja e parë e studimi.
Studimi zbuloi se terapia hormonale nuk rriti normat e vdekshmërisë në të gjitha grupmoshat në krahasim me një placebo. As nuk rriti ndjeshëm rrezikun e zemrës dhe goditjes në tru.
Rreziku i kancerit të gjirit rritet me përdorimin e zgjatur të terapisë së kombinuar hormonale. Gratë që merrnin vetëm estrogjen, si rezultat i një histerektomie, kishin një rrezik 20% më të ulët për të zhvilluar kancer gjiri.
Më shumë se një milion gra në Shtetet e Bashkuara përjetojnë menopauzë çdo vit. Simptomat mund të jenë dobësuese dhe zakonisht zgjasin rreth shtatë vjet, duke pasur efekte të thella në cilësinë e jetës.
Jo vetëm që menopauza rrit rrezikun e sëmundjeve të shumta, por gjithashtu mund të vendosë marrëdhëniet personale nën tendosje të jashtëzakonshme. Për më tepër, menopauza mund të ketë një ndikim shkatërrues në jetën profesionale.
Sipas një sondazhi në Mbretërinë e Bashkuar, nëntëdhjetë e nëntë për qind e grave raportuan simptomat e tyre të menopauzës që çuan në një ndikim negativ në karrierën e tyre.
Terapia hormonale fokusohet në zëvendësimin e estrogjenit, hormoni që nuk prodhohet më pas menopauzës. Estrogjeni luan një rol kyç në shëndetin riprodhues dhe ndikon në zemrën dhe enët e gjakut, kockat, lëkurën, flokët dhe trurin, ndër të tjera.
Menopauza mund të jetë e gjatë dhe dobësuese prandaj, është thelbësore të eksploroni opsionet e trajtimit me ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor. /Gazeta Shneta/