Studiuesit zbuluan se gratë me endometriozë kanë metabolitë të ndryshëm bakterial në jashtëqitjen e tyre sesa gratë pa këtë gjendje. Shkencëtarët thonë se ky zbulim mund të ndihmojë në diagnostikimin dhe trajtimin potencial të sëmundjes.
Endometrioza, ose “endo”, është një gjendje që prek mbi 6.5 milionë gra në Shtetet e Bashkuara. Kjo gjendje ndodh kur indi endometrial rritet dhe pushton indet jashtë mitrës. Gratë me endometriozë mund të përjetojnë dhimbje të forta menstruale, infertilitet dhe shqetësime të tretjes, veçanërisht gjatë periodave, shkruan burimi Health News përcjell Gazeta Shneta.
Diagnostifikimi i gjendjes mund të jetë sfidues dhe shpesh përfshin një sërë testesh dhe ekzaminimesh ose në disa raste, kirurgji laparoskopike. Për më tepër, simptomat e sëmundjeve të tjera si kanceri ovarian, mund të imitojnë ato të sindromës së zorrës së irrituar (IBS).
Disa studime madje kanë gjetur lidhje midis dy çrregullimeve dhe sugjerojnë se gratë me endometriozë mund të kenë një rrezik më të lartë të zhvillimit të sindromës së zorrës së irrituar.
Dallimet e mikrobiomeve dhe endometrioza
Hulumtimet e mëparshme të kryera në minj nga shkencëtarët e Kolegjit të Mjekësisë Baylor gjetën prova se një mikrobiom i ndryshuar i zorrëve mund të luajë një rol në zhvillimin e endometriozës dhe të promovojë përparimin e saj.
Në një studim pasues të botuar më 11 tetor në Med, ekipi i Baylor krahasoi përbërjen e baktereve dhe metabolitëve të mostrave të jashtëqitjes nga gratë me dhe pa endometriozë.
Studiuesit zbuluan se gratë me endometriozë kishin gjurmë të ndryshme të metabolitit bakterial në jashtëqitjen e tyre. Në mënyrë të veçantë, ato kishin një nivel më të ulët të një metaboliti të quajtur 4-hidroksiindol, një përbërës i prodhuar nga bakteret e mira të pranishme në mikrobiomën e zorrëve.
Mes tjerash, studiuesit thanë se hulumtimet kanë treguar se dhënia e këtij metaboliti kafshëve të modeluara për endometriozë parandaloi zhvillimin dhe përparimin e sëmundjes.
Përveç kësaj, ekipi gjeti më shumë prova që lidhin sindromën e zorrës së irrituar me endometriozën. /Gazeta Shneta/


