Të dhënat më të fundit të publikuara nga kompania farmaceutike Eli Lilly sugjerojnë se barnat Zepbound dhe Mounjaro janë shumë efektive në parandalimin e diabetit të tipit 2 te personat që janë në rrezik të shtuar. Këto rezultate bazohen në provën më të gjatë të përfunduar deri më sot për tirzepatidin, përbërësin aktiv të këtyre barnave.
Sipas gjetjeve, tirzepatidi ul rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 me 94% te të rriturit me paradiabet që janë obezë ose mbipeshë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet janë pjesë e studimit trevjeçar SURMOUNT-1, i cili vlerësoi efikasitetin dhe sigurinë e injeksioneve javore të tirzepatidit për menaxhimin afatgjatë të peshës trupore dhe vonimin e përparimit drejt diabetit.
Rezultatet paraprake të studimit, të publikuara pas 72 javësh në revistën shkencore “New England Journal of Medicine”, në vitin 2022 treguan humbje të konsiderueshme në peshë te pacientët me obezitet. Të dhënat e fundit konfirmojnë këto gjetje, duke treguar një humbje mesatare prej 22.9% të peshës trupore me dozën 15 mg në fund të trajtimit.
Studimi përfshiu 1,032 të rritur me paradiabet, të cilët u ndoqën për 176 javë trajtim dhe 17 javë pa trajtim. Gjatë periudhës pa ilaç, u vu re rifitim i peshës dhe rritje e rrezikut për diabet, megjithatë rreziku mbeti 88% më i ulët krahasuar me grupin placebo.
Kompania Eli Lilly raportoi se profili i sigurisë së tirzepatidit ishte në përputhje me studimet e mëparshme. Efektet anësore më të shpeshta lidhen me sistemin gastrointestinal, përfshirë diarrenë, nauzenë, kapsllëkun dhe të vjellat. /Gazeta Shneta/


