Një studim i udhëhequr nga studiues nga Universiteti i Uppsala analizoi se si gjumi i keq ndikon në trup, veçanërisht në shëndetin e zemrës.
Në këtë studim, shkencëtarët matën biomarkuesit e pjesëmarrësve pasi ata kaluan periudha me gjumë të mirë dhe periudha me gjumë të keq.
Rezultatet treguan se biomarkuesit e lidhur me inflamacionin dhe shëndetin kardiovaskular u rritën ndjeshëm pas vetëm tre netëve me gjumë të keq, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Edhe pse Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë që të rriturit të flenë të paktën shtatë orë në natë, kjo shpesh është e vështirë për t’u arritur për shkak të stresit apo problemeve shëndetësore.
Gjumi i pamjaftueshëm në mënyrë të përsëritur mund të çojë në probleme si përkeqësimi i shëndetit mendor apo plakja e përshpejtuar e trurit.
Ky studim i ri tregon se trupi fillon të reagojë negativisht shumë shpejt ndaj gjumit të keq — mjaftojnë vetëm tri netë radhazi për të parë ndryshime në shëndet.
Studiuesit analizuan gjithashtu nëse aktiviteti fizik mund të zbusë efektet e gjumit të keq. Ata zbuluan se stërvitja ndihmon, por nuk e zhbën plotësisht dëmin që shkakton mungesa e gjumit.
Ky studim është publikuar në revistën “Biomarker Research”. /Gazeta Shneta/


