Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar tarifa të reja të importit që hyjnë në fuqi më 1 tetor: 100% mbi barnat farmaceutike, 50% mbi kuzhinat dhe banjot e gatshme, 30% mbi mobiliet e tapetuara dhe 25% mbi kamionët e rëndë.
Në një postim në Truth Social, Trump e justifikoi vendimin me “arsye sigurie kombëtare”, megjithëse nuk dha bazë ligjore të qartë, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Administrata e tij ka nisur hetime të veçanta mbi ndikimin e importeve në sigurinë kombëtare, ndërsa një hetim i ngjashëm mbi drurin dhe mobiliet mbetet i paqartë.
Ekspertët paralajmërojnë se tarifat pritet të rrisin çmimet për konsumatorët dhe të rëndojnë më tej mbi inflacionin, i cili tashmë është në rritje.
Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, ka paralajmëruar se çmimet e mallrave po ushqejnë inflacionin, ndërsa presioni i Trump për uljen e normave të interesit ka krijuar më shumë pasiguri ekonomike.
Barnat janë importi më i madh i prekur, me vlerë mbi 233 miliardë dollarë në vitin 2024. Dyfishimi i çmimeve të disa medikamenteve mund të godasë rëndë pacientët dhe sistemin shëndetësor amerikan.
Shoqata Kanadeze e Tregtisë paralajmëroi për “mungesa spitalore, rritje të menjëhershme të çmimeve dhe rrezikun që pacientët të heqin dorë nga barnat jetike”.
Tarifat mbi mobiliet dhe kuzhinat pritet të rrisin koston e ndërtimit të shtëpive në një treg tashmë të shtrenjtë, ndërsa masat për kamionët synojnë mbrojtjen e prodhuesve amerikanë si Peterbilt, Kenworth dhe Mack Trucks.
Trump këmbëngul se tarifat do të nxisin ndërtimin e fabrikave në SHBA, por statistikat tregojnë se që nga prilli prodhuesit kanë humbur 42 mijë vende pune dhe ndërtuesit 8 mijë.
Megjithatë, ai vazhdon ta cilësojë politikën e tij si “sukses të jashtëzakonshëm”, ndërsa premtoi se të ardhurat nga tarifat do të përdoren për të kompensuar fermerët amerikanë, të prekur nga hakmarrja tregtare e vendeve të tjera.



