Kolera dhe sëmundjet tjera vdekjeprurëse mund të jenë faktorë rrezikues për jetën e njerëzve në Ukrainë, Mariupol.
Lufta në Ukrainë ka rritur ndjeshëm rrezikun për t’u përballur me kolerën dhe sëmundjet tjera vdekjeprurëse tashmë në stinën e verës shkruan Reuters, transmeton Gazeta Shneta.
Kryebashkiaku Vadym Boichenko ka thënë se puset janë të kontaminuar nga kufomat e njerëzve të vrarë gjatë javës së bombardimeve.
“Ka një shpërthim të dizenterisë dhe kolerës. Ky është për fat të keq vlerësimi i mjekëve tanë: se lufta që mori mbi 20,000 banorë … fatkeqësisht, me këto shpërthime infeksioni, do të marrë mijëra Mariupolitë të tjerë,” tha ai për televizionin kombëtar.
Boichenko, i cili ndodhet jashtë Mariupolit, tha se qyteti ishte vendosur në karantinë.
Muajin e kaluar, si rezultat i bombardimeve, banorët ishin të detyruar të konsumonin ujë nga puset sepse qyteti ishte në mungesë të ujit të pijshëm.
Boichenko u kërkoi Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të punojnë në këtë drejtim për t’ju ndihmuar banorëve.
Në lidhje me këtë cështje edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar muaj më parë për një shpërthim të mundshëm kolere në Mariupol.
Sipas CDC-së, kolera është një sëmundje akute diarreike e shkaktuar nga bakteret Vibrio cholerae. Infeksioni është shpesh i butë ose pa simptoma, por ndonjëherë mund të jetë i rëndë dhe kërcënues për jetën. /Gazeta Shneta/