Përjetimi i një infarkti të zemrës rrit ndjeshëm rrezikun për probleme të tjera kardiovaskulare, si një infarkt i dytë, dështim i zemrës, aritmi apo goditje në tru. Për këtë arsye, mjekët zakonisht rekomandojnë një kombinim trajtimesh pas infarktit, duke përfshirë ndryshime në stilin e jetesës dhe përdorimin e medikamenteve si beta-bllokuesit.
Beta-bllokuesit janë ilaçe që ulin rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut duke reduktuar efektin e hormoneve të stresit, si adrenalina. Kjo ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe në parandalimin e komplikimeve të mëtejshme, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, një studim i ri i publikuar në “The New England Journal of Medicine”, sugjeron se jo të gjithë pacientët kanë nevojë t’i marrin këto ilaçe për një kohë të gjatë.
Sipas këtij studimi, personat që kanë kaluar një infarkt, por konsiderohen me rrezik të ulët për komplikime të tjera, mund të ndërpresin përdorimin e beta-bllokuesve pas të paktën një viti trajtimi.
Në analizën e mbi 2,500 pacientëve që nuk kishin probleme të tjera kardiake pas një viti trajtimi, u vu re se ndërprerja e beta-bllokuesve nuk rriti rrezikun për vdekje, infarkt të përsëritur apo shtrim në spital për dështim të zemrës.
Madje, përqindja e këtyre ngjarjeve ishte pak më e ulët tek ata që ndaluan ilaçin krahasuar me ata që vazhduan.
Ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë që të gjithë pacientët duhet të ndalin medikamentet, por hap rrugën për një qasje më të personalizuar.
Vendimi duhet të merret gjithmonë në bashkëpunim me mjekun, duke marrë parasysh gjendjen individuale dhe duke monitoruar vazhdimisht shëndetin e zemrës. /Gazeta Shneta/


