Ushqimet e përpunuara që reklamohen si të pasura me proteina po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet, por një studim i ri sugjeron se ato mund të mos jenë aq të shëndetshme sa mendohet.
Studimi i publikuar në revistën “Nutrients”, zbuloi se shumë prej këtyre produkteve përmbajnë nivele të larta të yndyrës, natriumit dhe sheqerit – shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Proteinat janë të domosdoshme për funksionimin normal të trupit, pasi ndihmojnë në ndërtimin e muskujve, riparimin e indeve dhe ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.
Burimet natyrale të proteinave përfshijnë mishin, vezët, arrat dhe bishtajoret.
Megjithatë, me rritjen e kërkesës për ushqime të shpejta dhe praktike, shumë kompani ushqimore kanë filluar të shtojnë proteina artificialisht në produktet e tyre të përpunuara.
Studimi analizoi një sërë ushqimesh me pretendime për përmbajtje të lartë proteinash dhe zbuloi se mbi gjysma e tyre kishin nivele të larta natriumi ose yndyre, ndërsa rreth 25% përmbanin sasi të konsiderueshme sheqeri të lirë ose yndyrë të ngopur.
Këta përbërës mund të rrisin rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, hipertension dhe shtim në peshë.
Ekspertët theksojnë se pavarësisht etiketave “me proteina të larta”, konsumatorët duhet të lexojnë me kujdes përbërjen ushqyese të produkteve dhe të zgjedhin burime më natyrale të proteinave.
Konsultimi me një dietolog mund të ndihmojë në krijimin e një diete të balancuar që siguron marrjen e duhur të proteinave pa kompromentuar shëndetin. /Gazeta Shneta/


