Një studim i ri i botuar më 29 tetor në “The New England Journal of Medicine”, tregon se ushtrimet e thjeshta për t’u bërë në shtëpi mund të reduktojnë në mënyrë të ndjeshme dhimbjen e gjurit të shkaktuar nga artriti apo dëmtimet e kërcit – me ose pa ndihmën e fizioterapisë.
Studiuesit zbuluan se ushtrimet e shtrirjes dhe forcimit sollën lehtësim të ngjashëm të dhimbjes, pavarësisht nëse pjesëmarrësit morën terapi fizike të vërtetë apo të simuluar, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas drejtuesit të studimit, Dr. Jeffrey Katz nga “Brigham and Women’s Hospital” në Boston, pjesëmarrësit raportuan dhimbje të forta në fillim, por pas 3, 6 dhe 12 muajsh ndjenë përmirësim të dukshëm.
Studimi përfshiu rreth 900 persona me moshë mesatare 59-vjeç, të gjithë me dhimbje gjuri, artrit dhe këputje të meniskut.
Një grup kryente një program 25-minutësh ushtrimesh në shtëpi katër herë në javë, të udhëzuar nga video dhe broshura. Dy grupet e tjera kombinuan ushtrimet me fizioterapi të vërtetë ose të rreme.
Rezultatet treguan se ndërveprimi me fizioterapistin mund të ketë luajtur rol më të madh psikologjik sesa terapia vetë, pasi përmirësimi ishte i ngjashëm në të dy grupet.
Edhe mesazhet motivuese për të inkurajuar ushtrimet në shtëpi nuk ndryshuan rezultatet.
Studiuesit përfunduan se ushtrimet e rregullta në shtëpi janë po aq efektive sa terapia fizike në lehtësimin e dhimbjes së gjurit nga artriti, duke u bërë një alternativë praktike, e lirë dhe e përshtatshme për shumicën e pacientëve. /Gazeta Shneta/


