Një grup prej 43 ekspertësh ndërkombëtarë ka paralajmëruar se konsumimi në rritje i ushqimeve ultra-të përpunuara (UPF) po nxit obezitetin, diabetin, sëmundjet e zemrës dhe probleme të tjera kronike në mbarë botën, duke thelluar pabarazitë shëndetësore. Analiza, e publikuar në The Lancet, e cilëson këtë trend si kërcënim serioz për shëndetin publik.
Sipas raportit, ushqimet UPF – si vaktet e gatshme, pijet e sheqerosura, snack-et e paketimit dhe produktet e fast-food – po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë ushqimin tradicional, ndërsa përmbajtja e tyre industriale, aditivët dhe mënyra e përpunimit lidhen me rritje të rrezikut për sëmundje të shumta, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Ekspozimi ndaj substancave të dëmshme nga paketimi, si bisfenoli, ftalatet dhe “kimikatet e përjetshme”, dhe formimi i komponimeve të rrezikshme gjatë përpunimit në temperatura të larta, shtojnë rreziqet shëndetësore.
Ekspertët thonë se industria ushqimore përdor marketing agresiv dhe ndikim politik për të shmangur rregullimin. Ata kërkojnë masa të koordinuara globale si etiketime të reja paralajmëruese, kufizim të reklamimit, taksa për produktet UPF dhe subvencione për ushqime të shëndetshme.
“Dijetat e larta në ushqime ultra-të përpunuara po dëmtojnë shëndetin në nivel global. Nevojitet veprim politik”, tha epidemiologia franceze Mathilde Touvier.
Megjithatë, disa studiues kërkojnë kujdes me interpretimin e gjetjeve, duke theksuar se provat aktuale mbështeten kryesisht në studime vëzhguese dhe se duhen kërkime më të forta për të vërtetuar plotësisht ndikimin e UPF-ve.


