Fillimi i mbarë gjysma e punës. Kjo thënie vlen shumë veçanërisht për ushqyerjen e fëmijës tuaj në vitin e parë të jetës. Që në vegjëli fëmija juaj jo vetëm që mësohet me shijen, por përmes një ushqyerjeje të shëndetshme merr edhe të gjitha vitaminat, mineralet dhe lëndët ushqyese të domosdoshme për të.
Cilat janë ushqimet bazike për të cilat fëmijët kanë nevojë, nisur nga domosdoshmëria për hekur, kalcium dhe vitamina?
Një fëmijë me ushqyerjen me qumësht gjiri merr të gjithë përbërësit ushqimorë të nevojshëm përmes qumështit të gjirit e nuk ka domosdoshmërinë e ushqimeve specifike shtesë, ndaj as dhënia e ujit nuk këshillohet gjatë kësaj ushqyerjeje natyrale.
Por një fëmijë që ka filluar shtesën ushqimore duhet të konsumojë patatet e ëmbla, kungullin, lëngun e kumbullës, zarzavate (spinaq, panxhar, perime të gjelbra), thjerrëzat, mishin për shkak të përmbajtjes së lartë të hekurit.
Për të plotësuar nevojat për kalcium të organizmit të fëmijës rekomandohet kosi, djathi, qumështi e bylmete të ndryshme. Brokoli, bizelja, spinaqi janë gjithashtu burime shumë të mira për kalciumin.
Çfarë mund t’i përgadisim një fëmije 1 vjeç?
Sigurisht që teknologjia farmaceutike ka avancuar në imitimin e vlerave ushqyese të qumështit të nënës, duke e bërë këtë alternativë ushqyerjeje të vlefshme.
Por sigurisht që një organizëm në rritje dhe evoluim si ai i bebes pasqyrohet dhe me kërkesa shtesë në ushqyerje, ndaj në ndjekje të kërkesave dhe nevojave të fëmijës është e këshillueshme të eksperimentohet midis muajit të katërt dhe të gjashtë me ushqime paksa me viskoze që vijnë siç janë drithërat me miell orizi dhe me shije frutash.
Mund të provohet kosi e kombinime të frutave në formë puresh të këndshme. Çdo shtesë ushqimi kërkon kohë në adaptimin sasior e cilësor të shqisave të të shijuarit të bebit me ushqimet e reja. Kjo do të thotë që një ushqim i ri fillohet me sasi të vogla, duke shtuar kështu sasinë në një vakt me dakordësinë e fëmijës.
Pas muajit të gjashtë vijohet me shtesat e filluara më herët, duke alternuar më shumë shije dhe produkte. Në gjashtëmujorin e dytë kërkesat e fëmijës janë më të gjera ndaj dhe ushqimet që përgatiten janë relativisht më kalorike.
Gjatë kësaj periudhë fillohen supat me perime, pa kripë të shtuar por me djathë dhe me vaj ulliri për ta bërë vaktin më të shijshëm.
Supat mund të përgatiten më lëngun e mishit, ndërsa mishi i viçit, pulës, peshkut, lepurit etj., fillohen të konsumohen fillimisht të bluara e më pas të copëzuara mbi moshën 10-muajshe.
Gjatë periudhës 8−12-muajshe dieta shtohet me elemente të tilla, si: fasulja, thjerrëza, bizelja, spinaqi, qiqra, trahanaja etj.
Ushqimet që përmbajnë vitaminat
-Vitamina A, me rëndësi në imunitet dhe shqisën e të parit gjendet te patatja e ëmbël, spinaqi, peshku, qumështi, vezët, karotat.
-Vitamina B6, me rëndësi për metabolizmin ushqimor, hemoglobinën, nivelin e sheqerit në gjak dhe formim antitrupash gjendet në peshk, qiqra.
-Vitamina B12, për mirëqenien nervore, formimin e ADN dhe qelizave të kuqe të gjakut gjendet në produkte shtazore dhe në shumicën e llojeve të peshkut.
-Vitamina C, antioksidanti i mrekullueshëm, gjendet në specin e kuq, kivi, brokoli etj.
-Vitamina D, e cila ndihmon rritjen e kockave, imunitetin, uljen e inflamacionit sintetizohet duke ekspozuar fëmijën në diell në orët e para të ditës, e në formë ushqimore merret përmes qumështit, kosit, drithërave.
-Vitamina E, mbrojtësja e qelizave të trupit gjendet në vajin e misrit, farat e lulediellit dhe bajame. Këto të fundit mund të përgatiten të bluara në përgatesat ushqimore të fëmijës. /Gazeta Shneta