Gjatë periudhës që ushqen me gji, nëna nuk duhet të bëjë dieta dobësuese pasi qumështi i nënës prodhohet duke konsumuar energjitë ushqimore të saj, prandaj edhe duhet të hajë kur i hahet, përndryshe mund të krijohen mungesa në ndonjë lëndë ushqimore të rëndësishme tek fëmija.
Po kur nëna vuan nga konstipacioni?
I duhet të hajë fruta dhe perime të ziera ose të gjalla, duhet të marrë bukë të zezë dhe duhet të pijë shumë lëngje. Nuk duhet të marrë ilaçe për nxitjen e zorrëve (laksativë), sepse mund të kalojnë në qumësht dhe të japin diarre tek fëmija.
Nëna që ushqen me gji, duhet të çlodhet sa më shumë që të jetë e mundur. Edhe pse “rrëmuja” që shkakton bebi është e madhe, ajo duhet të gjejë momentet për t’u çlodhur vetë.
Nuk ka pse t’i bëhen analizat qumështit të gjirit. Është tashmë një gjë e padobishme, nuk shkakton gjë tjetër vecse ankth, probleme dhe turbullim.
Nga të gjithë pranohet se në qumështin e gjirit nuk mungon asgjë dhe nuk ka asgjë që të mund të bëjë dëm. Për më tepër qumështi i nënës e ndryshon përmbajtjen e vet edhe nga një vakt në tjetrin, për t`ju përgjigjur kërkesave të fëmijës.
Miopia e nënës
Problemet e shikimit gjatë shtatzanisë nuk janë thjesht një bestytni popullore, por një ndodhi reale.
Por nga ana tjetër nuk është aspak e vërtetë se ushqyerja me gji e përkeqëson shikimin, prandaj është e padrejtë këshilla për të mos lejuar nënën t`i japë gji fëmijës së vet nëse ka një problem me sytë (mund t’ju ndodhë të dëgjoni edhe këtë “këshillë”). /pernenat