Hipertensioni, ose tensioni i lartë i gjakut, prek rreth 1.4 miliardë të rritur në mbarë botën dhe është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për infarktin e zemrës, goditjen në tru, dështimin e zemrës dhe sëmundjet e veshkave.
Përveç barnave dhe ndryshimeve në stilin e jetesës, një studim i ri sugjeron se edhe vaji i mentes mund të ketë përfitime në kontrollin e tensionit të gjakut, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Në studim morën pjesë 40 të rritur me tension të ngritur të gjakut ose me hipertension të fazës së parë. Pjesëmarrësit morën çdo ditë një dozë të vogël vaji menteje ose një placebo me shije menteje për 20 ditë.
Rezultatet treguan se personat që përdorën vajin e mentes patën një ulje mesatare prej 8.5 mmHg të tensionit sistolik, i njohur si vlera e sipërme e tensionit të gjakut. Kjo konsiderohet një ulje domethënëse, pasi edhe ndryshime relativisht të vogla të tensionit mund të ndikojnë pozitivisht në uljen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare.
Studiuesit vunë re gjithashtu se pjesëmarrësit që morën vaj menteje kishin ritëm më të ulët të zemrës në pushim, një tregues i rëndësishëm i shëndetit kardiovaskular.
Sipas autorëve, mentja përmban substanca biologjikisht aktive, si mentoli dhe flavonoidet, të cilat mund të ndihmojnë në relaksimin e enëve të gjakut, përmirësimin e qarkullimit dhe uljen e proceseve inflamatore.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten studime më të mëdha dhe afatgjata për të konfirmuar këto rezultate.
Vaji i mentes nuk duhet të zëvendësojë trajtimin e përshkruar nga mjeku, por mund të konsiderohet si një masë plotësuese në menaxhimin e hipertensionit. /Gazeta Shneta/


