Debati nëse vapimi apo qeskat me nikotinë janë më të shëndetshme se cigarja tradicionale është i pavend, sipas një raporti të ri madhor shkencor. Nikotina është toksike për zemrën dhe enët e gjakut, pavarësisht mënyrës se si konsumohet, thekson një raport konsensusi i ekspertëve i publikuar në “European Heart Journal”.
“Nikotina nuk është një stimulues i padëmshëm; ajo është një toksinë e drejtpërdrejtë kardiovaskulare,” deklaroi autori kryesor, Dr. Thomas Münzel, profesor i kardiologjisë në Qendrën Universitare Mjekësore Johannes Gutenberg në Gjermani.
Sipas tij, në të gjitha format — cigare, vape, duhan i ngrohur apo qeska nikotine — vërehen rritje të presionit të gjakut, dëmtime të enëve të gjakut dhe rrezik më i lartë për sëmundje të zemrës, raporton burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit u përqendruan te provat mjekësore mbi ndikimin e vetë nikotinës, edhe pa produktet e djegies si katrani apo radikalet e lira. Gjetjet tregojnë se nikotina, edhe e vetme, shkakton dëme kardiovaskulare.
Efektet toksike përfshijnë rritje të menjëhershme të rrahjeve të zemrës dhe presionit të gjakut, dëmtim të aftësisë së enëve për t’u zgjeruar dhe tkurrur, nxitje të mpiksjes së gjakut (duke rritur rrezikun për infarkt dhe goditje në tru), formim të indit mbresor në zemër dhe nxitje të rritjes së enëve të reja që mund të ushqejnë kancerin. Për shkak se nikotina është shumë varësuese, këto efekte përsëriten dhe zgjasin në kohë.
Raporti bën thirrje për masa rregullatore të forta: ndalime aromash, taksim efektiv, kufizime reklamuese dhe përfshirje të vapimit në ligjet kundër duhanit. “Shkenca është e qartë,” përfunduan autorët. “Detyra tani është e ligjvënësve për të mbrojtur publikun, veçanërisht fëmijët”. /Gazeta Shneta/


